Bledar Muça dhe Florenc Çapja, që i shpëtuan atentatit të paradites në Elbasan, u shpëtuan plumbave edhe më 3 Shkurt të këtij viti, në masakrën ku mbetën të vrarë, Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli.

Dy miqtë morën plagë të lehta nga breshëritë e kallashnikovit, që u qëlluan nga të paktën 3 persona, në lokalin në dalje të qyteti të Elbasanit.

6 persona të tjerë u plagosën.

Por Çapja dhe Muça nuk janë bërë vetëm shënjestra atentatesh. Ata kanë qenë të dyshuar për të paktën tre vrasje të ndodhura në këtë qytet, gjatë viteve të fundit.

Florenc Çapja ishte i dyshuari kryesor për plagosjen e efektivit të policisë Fadil Mema, në vitin 2006, me të cilin ishte në hasmëri për vrasjen e Sokol Çapes në vitin 2005. Ai u ndalua dhe u lirua për mungesë provash. Mema u vra 9 vjet më pas në Torino.

Në Gushtin e vitit 2012, Florenc Çapja u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Gentian Beqirit, bashkëpunëtorit të Dritan Shemes në vrasjen e Sokol Çapes.

Beqiri u ekzekutua nga dy persona, të cilët i vranë edhe babain e moshuar, po atë ditë. Por gjatë procesit hetimor, Florenc Çapja paraqiti si alibi, të dhënat e sistemit TIMS, që tregonin se ditën e vrasjes së dyfishtë, ai gjendej në Maqedoni.

Ndërsa Bledar Muca u shpall në kërkim nga policia me 30 Dhjetor të vitit 2011, nën dyshimin se ishte autori i vrasjes së biznesmenit Ilir Rexhepi.

Muça, me anë të një letre, e njoftoi policinë se nuk kishte gisht me vrasjen, pasi atë ditë ai kishte qenë në Angli.

Në vitin 2013, ai u rikthye për t’u përballur me drejtësinë dhe policia e prokuroria e pushuan çështjen kundër tij.

Tv Klan