Një ngjarje e rëndë ndodhi në Tiranë këtë të enjte ku një 19-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sherri që paraprakisht dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta. Reginaldo Kaçorri mori një plumb në bark pas sherrit që ka pasur me dy vëllezër. Policia ka arritur që ta identifikojë autorët e plagosjes dhe bëhet fjalë për Aldo dhe Klajdi Kodrën. Ata janë persona me precedentë të mëparshëm penalë.

“Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore të kryera nga grupi hetimor u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes dhe shpallja në kërkim e tyre. Dyshohet se shtetasi A. K., në bashkëpunim me vëllanë e tij shtetasin K. K., gjatë një konflikti të çastit kanë qëlluar me armë zjarri 19-vjeçarin R. K”, thuhej në njoftimin e policisë

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, deklaroi më herët gjatë një prononcimi për mediat se paraprakisht mendohet që sherri të ketë ndodhur për motive të dobëta. Kaçorri ka qenë në një lokal me autorin e ngjarjes, por në tavolina të ndara. Fillimisht mes tij dhe dy personave të tjerë ka pasur një sherr fizik. Pak pas kësaj ngjarje, autori Klaudio Kodra është afruar dhe e ka qëlluar një herë me një armë zjarri.

“Të dyja palët kanë qenë në të njëjtin lokal. Fillimisht janë zënë fizikisht dhe më pas është afruar një person që ka qëlluar një herë me armë. Janë marrë masat për kryerjen e veprimeve proceduriale. Mendoj se për motive të dobëta, por tani jemi në dokumentimin dhe sqarimin e kësaj ngjarje”, tha Jaupaj.

Plagosja e Reginaldo Kaçorrit ndodhi në rrugën “Liman Kaba” në Tiranë. I riu nga Rrësheni nuk ka precedentë të mëparshëm penalë. Kaçorri ka marrë një plagë në bark dhe ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al