Ishte dënuar me burg përjetë për vrasje në Angli

Hekuran Billa u lirua nga burgu në 22 Shkurt 2019 nga Gjykata e Krujës. Vendimi mban firmën e gjyqtares Enkelejda Hoxha, e denoncuar nga Ministria e Drejtësisë, për ulje të dënimeve apo lirimin e personave që janë në burg për vepra të rënda penale.

40-vjeçari vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës dënimin për vrasjen e 20-vjeçarit, Prel Marku dhe plagosjen e tre shqiptarëve të tjerë, në vitin 2006, në klubin shoqëror Park Rojëll, në Londër.

Motivi i krimit, ishte ndarja e territorit të makinetave të parkimit, grabitja e të cilëve i siguronte bandës së tij 1.2 milionë Stërlina, siç thuhet në mediat angleze. 

Pas vrasjes u arratis nga Anglia për në Danimarkë, ku u arrestua dhe u ekstradua për të vuajtur dënimin me burg përjetë të konvertuar në 34 vjet.

Në atë kohë ai ishte 26 vjeç dhe krimin e kreu bashkë me Kujtim Spahiun, i cili vuan akoma dënimin me 33 vjet burg në Angli.

Pas 10 vjetësh në qeli atje, ai u ekstradua në Shqipëri ku ankimoi dënimin me burg përjetë.

Ishte Gjykata e Apelit në Tiranë që ia uli masën në 25 vjet heqje lirie, më 20 Korrik të vitit 2016.

Tre vjet më vonë, me argumentin se ka kryer 3 /4 e dënimit, ose 19.5 vjet, ai kërkoi lirimin me kusht në Gjykatën e Krujës.

Më 22 Shkurt të vitit 2019, gjyqtarja Enkelejda Hoxha firmosi për ta liruar atë nga qelia, me argumentin se kishte pasur sjellje të mirë.

Për të arritur deri këtu, në vendim thuhet se gjyqtarja u ndikua nga një raport  pozitiv i burgut të Krujës dhe në një tjetër raport i shërbimit të provës.

Një tjetër arsye ishte gjendja e rëndë ekonomike pasi të ardhurat e vetme ishin pensioni i prindërve të tij, i cili nuk mjaftonte as për ilaçet e tyre si dhe gjendja e rëndë shëndetësore e prindërve. Për prindërit ai kishte paraqitur edhe një raport mjekësor.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për të gjitha procedurat dhe për vendimin e gjyqtares Hoxha, për të cilën Ministria e Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin, pasi ka liruar personazhe të njohur si Indrit Doklen e bandës së Durrësit, apo Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e një punonjësi policie.

Tv Klan