Gëzimi për familjen Williams në Spanjë nuk kishte fund pasi “Furia e Kuqe” mposhti Costa Rica-n me një rezultat të thellë dhe bindës. Megjithatë, për të njëjtën familje pati mërzi të enjten. Kjo pasi Gana u mposht nga Portugalia.

Në këtë kupë bote ka një gjë të veçantë. Vëllezërit Inaki dhe Nico Williams luajnë në Katar, por për dy kombëtare të ndryshme. Ata të dy kanë lindur në Spanjë, por prindërit i kanë nga Gana.

Nico ishte pjesë e ekipit të Spanjës që fitoi me rezultatin 7-0, ndërsa vëllai i tij Inaki u mposht nga kombëtarja e Cristiano Ronaldo.

Kjo do të thotë që për një familje ka pasur ndjenja të ndryshme për 24 orë. Një herë janë gëzuar për fitoren e 20-vjeçarit Nico dhe një herë janë mërzitur për humbjen e 28-vjeçarit Inaki. Dy vëllezërit kanë lindur në Bilbao dhe aty janë rritur si lojtarë. Ata luajnë së bashku për ekipin e Athletic Bilbao.

Por ky nuk është rasti i vetëm që dy vëllezër janë ballafaquar në fushën e lojës me dy kombëtare të ndryshme. Në Europianin e vitit 2016, në ndeshjen Shqipëri-Zvicër përballeshin po ashtu dy vëllezër me kombëtare të ndryshme. Taulant Xhaka luante për kuqezinjtë, ndërsa vëllai i tij, Granit Xhaka për Zvicrën./tvklan.al