Deputeti Haxhi Avdyli ka thënë se Vjosa Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentes këtë të shtune e ka vizituar Prizrenin.

Avdyli me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Osmani është takuar me një pjesë të veteranëve të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë qytet.

“Prizreni ishte e nderuar të vizitohej nga Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani. Edhe pse me ftesa individuale, interesimi ishte tepër i madh që për shkak rregullave anti COVID u deshtë të mbahen dy takime me 50 pjesëmarrës dhe disa takime grupore më të vogla. U takuam me strukturën e veteranët e Degës së LDK-së që guxojnë të jetësojnë ndryshimin”.

“Takimi i dytë ishte me guximtarët e rinj, të cilët për t’ia kthyer shpresën vendit do guxojnë të angazhohen me konceptin politik të mbajtjes së fjalës. Faleminderit të gjithëve që po na besoni se ne nuk ua tjetërsojmë votën. Vazhdojmë..”, ka shkruar Avdyli

Osmani në zgjedhjet e kaluara ishte kandidate për kryeministre në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe slogani i zgjedhjeve ishte “Beso”. Por, pasi u shkarkua nga pozitat e saj në LDK, ajo kishte thënë se do të formojë një iniciativë qytetare, slogani i së cilës për këto zgjedhje është “Guxo”.

Haxhi Avdyli është njëri nga deputetët e LDK-së, i cili i është bashkuar Osmanit në iniciativën e saj./klankosova