Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, kanë debatuar në Zonë e Lirë në Tv Klan për Reformën Zgjedhore.

Kaso ka analizuar Kodin e ri Zgjedhor dhe tha se në ndryshimet e para fituan qytetarët, ndërsa ndryshimet që u votuan të hënën ishin thjesht një pazar.

Kemi një Kod që është miratuar dhe një draft që nuk ka hyrë ende në fuqi. Për ta ndarë në dy pjesë ka përfitues të ndryshëm nga pjesët e ndryshme. Në pjesën e parë kanë fituar qytetarët, por jo të gjitha, janë vendosur disa kufizime më shumë.

Ndërsa në pjesën e dytë ka qenë një pazar, kanë fituar vetëm ata që kanë ndarë kockat dhe kanë marrë kockat. Rama me këtë Kod përfiton pasi minimizon humbjen dhe mban partinë nën kontroll”, u shpreh Ivi Kaso.

Nga ana tjetër Damian Gjiknuri u shpreh se Kodin e kanë bërë sipas propozimeve të opozitës së bashkuar.

Çfarë të them unë, ne e paskemi bërë Kodin që të minimizojmë humbjen. Ne në Kod kemi miratuar të gjitha kërkesat e opozitës”, tha Gjiknuri. Po ashtu deputeti i PS shtoi se opozita “ka mundësi që të bëjnë kombëtaren afrikane, mund të bashkohen të gjithë në një koalicion”./tvklan.al