Zjarri i rënë mbrëmë në çerdhen numër 16 në zonën e ish-bllokut në Tiranë dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm. Ky është dyshimi që kanë zjarrfikësit. Konkluzionet pritet t’i nxjerrë hetimi për zjarrëvënie të qëllimshme i nisur nga Policia e Tiranës që synon të zbardhë se kush dhe për çfarë arsye i është vënë zjarri një çerdheje.

Çerdhja numër 16 në rrugën ‘Nikolla Tupe’ në Tiranë u përfshi nga flakët mbrëmjen e së martës  rreth orës 19:25 minuta. Sipas policisë, flakët ranë në katin e dytë të godinës. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve dhe policisë për të neutralizuar flakët e zjarrit. Fatmirësisht, në momentin kur ra zjarri, në godinë nuk kishte asnjë person.

Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se në çerdhen numër 16 në zonën e ish-bllokut janë gjetur katër vatra zjarri.

I qëllimshëm dyshohet të ketë qenë edhe shpërthimi i gazit i ndodhur në datën 16 Gusht në çerdhen nr.14 në zonën e Ali Demit. Dyshimet janë se bombula e gazit që shpërtheu duke rrëzuar njërën nga faqet e murit të magazinës së çerdhes, të jetë hedhur nga jashtë. Edhe për këtë rast, policia po heton për të zbuluar arsyen se përse duhet sulmuar një çerdhe, me një akt të ngjashëm terrorist.

Dyshimet për një ngjarje të qëllimshme i ngriti menjëherë pas ngjarjes edhe drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës.

Zjarret e rëna në dy çerdhet në Tiranë, përkatësisht atë 14 dhe 16, dyshohet se janë vendosur nga disa persona. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar hetimet për këto dy raste pikërisht për zjarrvënie të qëllimshme. Këto dyshime erdhën pas përfundimit të ekspertizave paraprake në këto dy godina nga ekspertët e zjarrfikëses.

Tv Klan