Pas mbështetjes që mori nga Europa, për qeverinë Shqiptare mbërriti një mesazh edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhëndri i Donald Trump, sipërmarrësi Jared Kushner që mori pjesë në forumin ekonomik të zhvilluar në Tiranë, përshëndeti fitoren e kryeministrit Rama.

“Dikur Shqipëria kishte mbetur plotësisht e pazhvilluar si rezultat i drejtimit politik të dobët ndër vite, por më pas erdhi Edi Rama. Ajo që më tërhoqi menjëherë ishte fakti që ai nuk është thjeshtë një politikan i aftë dhe lider me vision, por edhe një artist. Kjo kombinon forcën politik me ndjeshmërinë krijuese, një qasje unike që reflekton edhe mënyrën se si ai e sheh zhvillimin e vendit”, shprehet Jared Kushner, CEO i Affinity Partners

Kushner foli edhe për resortin luksoz që do të ndërtojë në ishullin e Sazanit.

“Isha shumë i tërhequr nga rajoni dhe zhvillimet rajonale demografike. Shpenzuam 1 vit me studim tregu. Pas një analize rezultoi se mjedisi ishte perfekt. Shumë njerëz më kanë pyetur pse po investojmë në Shqipëri. Shqipëria ka potencial, thjesht njerëzit nuk janë mësuar ta shohin. Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin? Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë”, u shpreh Kushner.

Në samit morën pjesë biznesmenë të rëndësishëm shqiptarë, ndër ta sipërmarrësi Samir Mane. Ai foli për prioritetet dhe mundësitë e investimit në Shqipëri.

“Shqipëria është një vend vend në zhvillim. Klima e biznesit po përmirësohet ndjeshëm dhe po shohim rritje reale dhe vrull në disa sektorë në vëçanti ka mundësi të forta investimi në turizëm, energji të gjelbër dhe më gjerë. Aktualisht fokusi ynë kryesor është tek turizimi, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Turizmi përfaqëson një sektor dinamik dhe premtues”, shprehet Samir Mane, President i Balfin Group.

Kritika dhe sugjerime ndaj Evropës kishte biznesmeni Arab, Mohamad Alabbar.

 “Evropa ka disa rregulla të çuditshme. Duhet të zgjohemi se gjithë bota po ndryshon dhe duhet ti kapim këto ndryshime. Ne duam që Evropa të përparojë. Evropa duhet të jetë shumë e zgjuar për të integruar njerëz nga e gjitha bota e saj që të punojnë për zhvillimin e saj”, tha Alabbar.

Ndërsa ish-kryeministri Italian Renzi, konsideroi si shqetësimin më të madh në Europë lëvizjet demografike.

“Evropa është një lojtarë e fortë në fushë por duhet të zgjohet dhe të mendojë për të ardhmen. Edukimi i gjeneratës së re është shumë i rëndësishëm. Duhet të kuptojmë se problemi më serioz është demografia. Na çon në kolaps. Investoni në demografi, në talente, në edukim kjo ka më shumë rëndësi tani”, tha Renzi.

Në forumin Ekonomik mori pjesë edhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, si studiuese dhe avokate e të Drejtave të Njeriut. Ajo foli për gjithçka, duke nisur nga integrimi i vendit dhe deri tek fitorja e mandatit të katër të qeverisë së drejtuar nga bashkëshorti i saj.

“Të jesh krah Edit në 12 vjet ka qenë mundësi e shkëlqyer për të kontribuuar nga ana ime në një moment historik dhe të rëndësishëm për vendit. Përgjatë viteve mendoj se kam bërë atë çfarë synoja të bëja e ku besoja. Pashë që niveli i besimit është rritur dhe në fakt Edi tha që u ndje mirë kur zgjodhët Shqipërinë në raport me Francën në Evropë. Për fitoren, jam entuziaste, e prekur dhe e mallëngjyer sepse ndjeva sikur po lidhej filli midis prindërve tanë dhe asaj çka ëndërruam në ’91 për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa”, thotë Linda Rama.

Edhe nga sipërmarrësit e huaj, Shqipëria u konsiderua një potencial i rëndësishëm për të investuar në të ardhmen.

Tv Klan