Në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama ka folur sa i takon autonomisë menaxheriale për QSUNT dhe 4 spitale të tjera rajonale. Ai u shpreh se tashmë mjekët që punojnë më shumë se të tjerët do kenë mundësinë të paguhen përtej pagës së shtetit dhe spitali do të mund të administrojë financat e veta.


Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme e cilësoi si një ndër më të mirët në Europë për kushtet dhe stafin mjekësor, duke ndarë dhe eksperiencën e tij si pacient.

“10 vite më parë këto pamje do ishin thjesht dhe vetëm pamje të një dëshirë, të një ëndrre që dukej absolutisht e pamundur të realizohej në një kohë relativisht të shkurtër. Sot jemi në një stad krejt tjetër dhe këtë e konfirmoj edhe si pacient i QSUT-së dhe jo më larg se pardje në mos gabohem, ministri i Jashtëm bëri një operacion në Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme më shkruan dhe mesazh që nuk e besoj dot akoma që ky është spitali ynë në Tiranë, dhe kështu dëshmojnë shumë njerëz që kanë kaluar nga ai spital që është për nga kushtet dhe ekspertiza e mjekësve, ndër spitalet më të mira të Europës. Patjetër që më vjen mirë ta kujtoj se çfarë më tha një nga operuesit e mi dhe po e citoj se ai është demokrat 24 karat, ishte nder të të kishim në sallën e operacionit më tha, për herë të parë në shërbimin shëndetësor një kryeministër. I them këto për të sjellë në aktualitetin e kohës së sotme këtë përpjekje pa të cilën do ishte e pamundur të mblidheshim sot për kartat e autonomisë spitalore. Ka qenë një nga objektivat strategjikë që mjekëve dhe trupës së shërbëtorëve me bluza të bardha në sistemin publik shëndetësor t’u jepnim një fuqi përtej pozicionit të rrogëtarit dhe spitaleve t’u jepnin lirinë që përmes autonomisë menaxheriale të administronin financat e tyre dhe t’u krijonim mundësinë që mjekët të paguhen me pagë horizontale nga shteti, por cilido prej tyre që punon më shumë të ketë mundësi të paguhet më shumë.”

Sipas Ramës, sot qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë arsye t’i drejtohen strukturave private spitalore duke shpenzuar shuma të mëdha parash, pasi shërbimi publik është tashmë në një nivel krejt tjetër.

“Nuk ka asnjë arsye që shërbimi publik të mos jetë zgjedhja e parë edhe atyre shqiptarëve që për shkak se i kan mundësitë e kanë mendjen te private. Kur ne filluam punën është e vërtetë se disa struktura private kishin kushte më të mira, sot nuk është kështu. Kushtet janë të pakrahasueshme me strukturat më të mira private, ndërkohë që mjekët janë po ata. Atëherë cila është arsyeja për të paguar shumë para në privat, nëse në shtet merr po aq shërbim cilësor nga të njëjtët mjekë dhe në fund të kesh nxjerrë shumë më pak nga xhepi? Është vetëm një, përceptimi ende për t’u mundur i shërbimit publik si një shërbim pa kushte, nuk shërbehesh si duhet etj etj. Nuk i uroj askujt që shan e mallkon shërbimin publik që të shkojë në spital, por kush shkon ka një mendim krejt tjetër se sa një tjetër që nuk e çon halli në spital, vazhdon mendon se aty s’të prekin pa fut dorën në xhep. Kjo nuk do të thotë që nuk ka raste të turpshme, apo se të gjitha spitalet shtetëore janë me këto kushte, por në të gjitha rastet asnjë qytetar shqiptar pavarësisht nivelit ekonomik s’ka asnjë arsye të ndihet i braktisur pasi mund të marrë një shërbim dinjitoz.”/tvklan.al