Fermerët në Divjakë të kënaqur me prodhimin, tokat bëhen gati për mbjelljet e radhës

Është koha e mbledhjes së patates verore. Pavarësisht kushteve të këqija të motit prodhimi këtë sezon është me cilësi. Fermerët në Divjakë janë të kënaqur edhe me çmimin e shitjes dhe thonë se puna dhe lodhja ia kanë vlejtur.

“Prodhimi i patates duket i mirë dhe ne jemi të kënaqur. Edhe çmimi mirë është 500, goxha. Tani ne po i shkulim se kemi hallin e ngricave, se po i zurri ngrica ato prishen.”

“Sivjet jam e kënaqur, kam dalë mirë. Sado që qe koha shumë e vështirë sivjet për pataten, por jemi të kënaqur se ka dalë e mirë. Edhe në shitje po na i marrin edhe patatet e vogla, se vjet thuajse i hodhëm, nuk na i morrën fare.”

Për ta mbaruar sa më shpejt mbledhjen e prodhimit e për ta nxjerrë atë në treg, janë punësuar edhe banorë të zonës.

“Vijmë e punojmë tek patatet, tek specat, çdo lloj pune që ka këtu. Jemi të kënaqur! (Paguhemi) nga 20-25, shumë mirë.”

Pas patates tokat do të mbillen me kultura të tjera. Fermerët po shfrytëzojnë kohën e thatë për t’i bërë tokat gati për mbjelljet e radhës.

“Unë pas patates në këtë tokë që kam këtu do mbjell kur të vijë koha e shalqirit që mbillet nga Marsi dhe do të mbjell pataten që mbillet në Janar, pataten e hershme. Tokat tjera i kam mbjellur ullinj dhe grurë.”

Për shkak se tokat në Divjakë janë pjellore, ato punohen disa herë në vit.

Klan News