gjykata kushtetueseGjykata Kushtetuese me shumicë dërrmuese ka rrëzuar vendimin e Qeverisë të datës 30 Shtator 2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar”, INUK duke e konsideruar atë në kundërshtim me kushtetutën. Vendimi i shpallur të enjten pritet të zbardhet në ditët në vijim.

Padia arriti në dyert e gjykatës nga opozita e cila që nga dita e parë e krijimit të këtij inspektoriati ka dhënë alarmin për palishmërinë e veprimeve të tij.

Vendimi i Qeverisë nr 932 i jepte mundësi INUK që bazuar në opinionin dhe vlerësimet e veta, të ndërmerrte me shpejtësi prishje të ndërtimeve pa leje ose pavarësisht se ato mund të ishin në proces legalizimi e për më tepër edhe prishjen e ndërtimeve me leje të rregullta, duke kapërcuar qoftë kompetencat e inspektorateve të Bashkive e qoftë vendimet e gjykatave.

Si pasojë e këtij vendimi, INUK, sëbashku me forcat e policisë ndërmori një mori prishjesh, shpesh duke i kthyer këto aksione  tashmë të jashtëligjshme shpeshherë në spektakle live të hedhjes në erë të godinave me tritol.

Pas këtij vendimi të Gjykates Kushtetuese, ekspertëve të së drejtës shprehen se çdokujt që i është prishur ndërtimi nga INUK bazuar në vendimin e antikushtetues të qeverisë, i lind e drejta të kompensohet financiarisht për dëmin që i është shkaktuar me të padrejtë nga ky vendim.

Pritet që pronarët e dëmtuar të këtyre ndërtimeve të vërshojnë në gjykatat e vendit për të kërkuar dëmshpërblimin që iu takon.

Natën e 30 shtatorit 2013, qeveria mori dy vendime, atë për aktin normativ që shtyu me 6 muaj fillimin e efekteve të ligjit të ri për nëpunësit civil dhe atë për INUK.

Sot të dy këto vendime janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese por në këto muaj të dy vendimet antikushtetuese kanë shkaktuar dëme materiale dhe financiare mbi mijëra qytetare, dëme këto që nje ditë do të shlyhen nga buxheti i shtrënguar i shtetit.  Dhe kjo faturë nuk mund të parashikohet ende saktë sa e rëndë do jetë për buxhetin e shtetit apo thënë ndryshe për xhepat e çdo shqiptari.

Qeveria Rama, po deklaron se do pakësojë “borxhet e fshehta” ndaj bizneseve dhe qytetarëve të krijuara nga qeveria Berisha, po ndërkohë po i shton ato në nivele të paparashikueshme, përveç të tjerave edhe për shkak të vendimeve që tashmë rezultojnë si antikushtetuese.