Kuvendi i kërkoi me rezolutë të njihte Arta Vorpsin

Parlamenti miratoi me 97 vota rezolutën për legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndër të tjera i bën thirrje gjykatës të mundësojnë fillimin e ushtrimit të detyrës për 3 anëtaret e reja të saj, Arta Vorpsin, Elsa Toskën e Fiona Papajorgjin, duke mosnjohur Marsida Xhaferllarin.

Por pak orë nga votimi i rezolutës, Gjykata Kushtetuese reagoi duke sqaruar se po kryen procedurat administrative që të nisin detyrën tre anëtaret e reja që u betuan para Presidentit.

“Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”.

Tre anëtaret e reja të betuara në Presidencë janë Elsa Toska, Fjona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari. Arta Vorpsi, që nuk njihet nga Presidenti, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese një betim të noterizuar.

Emrin e Xhaferllarit, Gjykata Kushtetuese e publikoi si gjyqtare të saj edhe në njoftimin për listën e gjyqtarëve që plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në listë mungon emri i Arta Vorpsit, por Kushtetuesja nuk ka dhënë sqarime nëse edhe ajo do të jetë pjesë e saj.

Në përgjigje të rezolutës që i kërkon të mundësojë nisjen nga puna të Arta Vorpsit, Gjykata thotë se ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj, siç është në këtë rast rezoluta.

Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari u paraqitën të dyja në Gjykatën Kushtetuese për të filluar detyrën e re dhe i shmangën komentet për mediat.

Procedurat e ndjekura për emërimet e dy anëtareve kanë krijuar një situatë të paprecedentë në Gjykatën Kushtetuese dhe rrezikojnë ta çojnë vendin nga një krizë politike, drejt një krize kushtetuese.

Tv Klan