Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ratifikimin nga ana e parlamentit të marrëveshjes për emigrantët me Italinë, e parashikuar për t’u votuar nga Kuvendi në seancën plenare të së enjtes. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e Kushtetueses, e cila vlerësoi se kërkesa e bërë nga deputetët që mbështetin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë.

Por kjo nuk është fjala e fundit që Kushtetuesja ka thënë për këtë marrëveshje, pasi vendimi përfundimtar lidhur me fatin e protokollit të nënshkruar në 6 nëntor nga dy kryeministrat Rama e Meloni do të jepet në datën 18 janar.

“Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.

Në 6 dhjetor 30 deputetë të opozitës kërkuan nga kjo gjykatë deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të këtij protokolli, ndalimin si dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e tij nga Kuvendi.

Ata argumentonin në padi se kjo marrëveshje është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës, që bie ndesh me Kushtetutën, Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Mungesa e konsultimeve dhe bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët, ishte një tjetër argument që sipas opozitës është në kundërshtim me nenin 35 të Konventës së Gjenevës.

Në argumentet e tyre deputetët firmëtarë sqaronin se protokolli shkel dhe cenon të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë iu njeh të huajve, kufizon në mënyrë të padrejtë lirinë, si dhe cenon parimin e barazisë.

Në krahun tjetër Kryeministri Edi Rama është shprehur se për marrëveshjen kanë punuar ekspertët më të mirë të të dyja qeverive dhe se ajo i ka kaluar të gjithë filtrat dhe është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.

Tv Klan