Miratimi me konsensus i ndryshimeve kushtetuese mesnatën e 21 Korrikut u duartrokit si një arritje e madhe e politikës dhe faktorit ndërkombëtar, në rrugën e reformimit të drejtësisë shqiptare.

Madje ky moment u përcoll me entuziazëm nga Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vllahutin, e cila madje kërkoi që ky proces i stërgjatë, të mbyllej mundësisht brenda natës.

Votimi unanim në parlament sikur çliroi jo vetëm palët politike, por edhe vetë Brukselin, nga një udhëkryq politik dhe juridik që u duk se mori zgjidhje, pas ndërmjetësimit të vetë Komisionerit Johannes Hahn, në limitet e afateve të përcaktuara nga ndërkombëtarët.

Por odiseja thuajse 1 – vjeçare, që startoi me ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar në 16 Korrik të 2015 dhe angazhimin e ekspertëve të nivelit të lartë dhe atyre të Euralius e Obdat, në hartimin e një drafti sa më reformues, në fund prodhoi një gafë që në ditën e parë, që Kushtetuta e re do të hyjë në fuqi, këtë 11 Gusht.

Presidentit i duhet që brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së re, duhet të hedhë shortin për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por kreu i shtetit e ka të pamundur të veprojë, pasi mungon ligji që përcakton kriteret e zgjedhjes së tyre.

Ky ngërç ka vënë Presidentin në një pozitë të vështirë, sepse ose i duhet të shkelë afatin e vënë në Kushtetutë, ose duhet të ngrejë një institucion pa pasur ligj. Kjo gafë rrëzon të gjithë punën e bërë për muaj të tërë dhe ku u angazhuan ekspertë vendas dhe të huaj, e në veçanti Ambasadorja Vlahutin.

Madje për të arritur konsensusin u vu në punë deri Komisioni i Venecias, që rrëzoi një pjesë të madhe të neneve nga drafti paraprak i Reformës. Palët nuk nguruan t’i drejtohen këtij komisioni dy herë.

U fol se palët do mbylleshin në parlament dhe nuk do të dilnin prej andej pa një zgjidhje. Në Tiranë u zhvendosëm dy herë edhe europarlamentarët Kukan e Fleckenstein, ndërsa eurokomisioneri Hahn u detyrua t’u gjejë një formulë kompromisi që ua përcolli me një letër palëve, në 20 Korrik.

Por megjithë angazhimin serioz të Brukselit, sërish Kushtetuta e re nuk zbatohet dot për shkak të gafave që përmban në mungesë të ligjeve, qe e bëjnë atë të pazbatueshme. Nuk dihet se çfarë qëndrimi ka Ambasadorja Vllahutin për këtë absurd të ri, që prodhoi konensusi i 21 Korrikut, të cilin ajo e përshëndeti me forcë nga lozha e Kuvendit.

Tv Klan