Pronari i një shtëpie që ka nxjerrë në shitje pronën e tij, ka vendosur një kusht absurd për blerësit. Ata nuk duhet të jenë përkrahës të Presidentit Donald Trump. Rasti është shënuar në Sacramento, Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pronari i shtëpisë ia ka bërë të qartë kushtin e vetëm sekseres, që blerësit nuk duhet të kenë votuar Trump! Mirëpo kjo vështirë se mund të zbulohet, pasi askush nuk tregon se për cilin kandidat ka votuar. Sekserja thotë se nuk mund të vlerësojë blerësin e mundshëm të shtëpisë duke u bazuar mbi pikëpamjet politike. Shtëpia thuhet se është në pronësi të familjes së shitësit për disa dekada me radhë, mirëpo pronari nuk ka preferuar të zbulojë emrin, raporton Fox News.

Një avokat, i quajtur Allen Sawyer, thotë se kjo është një kërkesë e paligjshme dhe diskriminim i bazuar në pikëpamjet politike. “Njerëzit kanë të drejtë të besojnë atë që ata duan të besojnë”, thotë avokati. Ligji për strehimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndalon shitësit e shtëpive që të diskriminojnë blerësit potencialë bazuar në racën, ngjyrën, fenë, seksin, statusin familjar apo kombësinë. Mirëpo nuk thotë asgjë për preferencat politike.

/tvklan.al