Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, komentoi nga foltorja e Kuvendit vendimin e djeshëm për rekomandimin pozitiv që mori Shqipëria nga Komisioni Europian. Balla, tha se vendi e meriton rekomandimin dhe ai nuk ishte gjë tjetër veçse vlerësim i punës që ka bërë qeveria.

“Vendimi i djeshëm i takon shqiptarëve të thjeshtë dhe të ndershëm dhe 94 % e tyre mbështesin rrugën europiane. Komisioni Europian dha për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut verdiktin e merituar për fillim e bisedimeve pa kushte. Pavarësisht rëndësisë së vendimit të djeshëm, dua të jem i sinqertë me të gjithë ju dhe kolegët e opozitës. Për ne ishte konfirmim dhe pasqyrim real i punës sonë drejt aspiratës për anëtarësim në BE. 

Balla tha se edhe vjet u mor i njëjti vendim për Shqipërinë, por Këshilli Europian vendosi shtyrjen, ndërsa Shqipëria vazhdoi punën.

“Edhe vjet u mor ky vendim, por Këshilli Europian vendosi shtyrjen se vendimmarrja aty është mbi të gjitha politike.Secila nga 28 vendet do japë gjykimin e saj politik.  Progres-raporti është i bazuar në fakte, punë të kryera, ndonëse de jure nuk i hapi negociatat siç u rekomandua në Qershor. Shqipëria vijoi punën e saj me procesin screening. Ky ishte raporti më i mirë në këto vite. Brenda 2019 Shqipëria do të hapë negociatat po e them pavarësisht opozitës rrugore që shkon në kah të kundërt me interesat e vendit”.

Ai tha se Shqipërisë do i hapen  negociatat në vitin 2019 pavarsisht përpjekjeve të opozitës, duke e cilësuar si “opozita e rrugës”.

“Shpreh bindjen se brenda vitit 2019 Shqipëria do të hapë negociatat më  BE dhe këtë e them pavarësisht opozitës rrugore që shkon në kah të kundërt me integrim evropian dhe kërkesat e saj. Viti  2019 dhe ne do jemi të gjithë krenarë që vota e shqiptarëve na ka sjellë këtu në vitin kur Shqipëri filloi bisedimet për anëtarësim me BE do të mbahen mend për hapjen e bisedimeve dhe siç e thekson raporti për përpjekjet e opozitës asaj rrugore jo kësaj parlamentare që u mundua të minonte përpjekjet e shqiptareve”./tvklan.al