Raportim Live
14:45, 13 Shkurt 2025

Miq të Tvklan.al

Mbyllim këtu këtë raportim live për zhvillimet nga parlamenti. Seanca u shty për t’u zhvilluar ditën e hënë në orën 10:00.

Ajo do të mbartë axhendën e ditës së sotme. Sot ishte parashikuar të votoheshin edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku dy forcat politike më të mëdha në vend, PS e PD kanë rënë dakord në Komisionin e Ligjeve.

Por debatet e sotme duket se ndryshuan rrjedhën e zhvillimeve. Seanca nisi me debate dhe herë pas here mollë sherri u bënë akuzat e opozitës në drejtim të mazhorancës. Shkak u bë arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pika e “vlimit” ishte përplasja e Flamur Nokës me Taulant Ballën. Deputeti demokrat vrapoi drejt Ballës me qëllim për ta goditur, por u ndal nga Garda. Pavarësisht kësaj, Noka i vijoi përpjekjet dhe hodhi një shishe uji në drejtim të ministrit.

Ai u përjashtua ndërsa kryeparlamentarja Spiropali ndërpreu seancën. Tashmë mbetet të shikohet nëse në seancën e ardhshme do të mbartet vetëm rendi i ditës, apo edhe sherret e sotme.

14:34, 13 Shkurt 2025

Shtyhet të hënën në orën 10:00 seanca parlamentare

Seanca plenare është shtyrë për të hënën e ardhshme dhe do të zhvillohet në orën 10:00.

Vendimi u mor pasi seanca u ndërpre ditën e sotme sepse deputeti Flamur Noka tentoi të godiste ministrin Taulant Balla.

Në videon më sipër gazetari Enkel Xhangoli na tregon më shumë detaje rreth asaj që ndodhi.

download app
14:34, 13 Shkurt 2025

“Zbërtheni kodin”, Berisha lexon disa mesazhe: Telefoni im ç’a nuk ka… (Shkakton të qeshura)

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka lexuar jashtë Parlamentit disa pjesë përgjimesh, pa specifikuar se për çfarë dosje bëhet fjalë. Teksa lexonte në detaje mesazhet që sipas tij janë shkëmbyer mes kryeministrit Edi Rama dhe eksponentëve të krimit, shkaktoi dhe të qeshura mes gazetarëve.

14:33, 13 Shkurt 2025

“500 mijë Euro zyrës avokatore që mbron kriminelët serbë”, Berisha i përgjigjet akuzave të Ballës

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, akuzoi kryedemokratin Sali Berisha nga salla e Kuvendit, se ka paguar 500 mijë Euro një zyrë avokatore në Londër, e cila në fakt mbron kriminelë serbë kundër UÇK-së. Deklarata e tij erdhi pas debateve të shumta në Kuvend në lidhje me rastin e Erion Veliajt.

Berisha reagoi ndaj tyre jashtë sallës së parlamentit, në një komunikim me gazetarët. Ai tha se çdo qindarkë e paguar nga ai është bërë në rrugë ligjore, përmes bankës dhe është e deklaruar.  Sa i përket Ballës, Berisha tha për të se është “prostitutë politike” dhe ka përdorur bandat për të burgosur kundërshtarët e tij politikë… Lexo më shumë

13:38, 13 Shkurt 2025

Ja një kënd tjetër i incidentit në Kuvend, kur Flamur Noka tentoi së sulmojë Ballën. Pasi vrapon drejt tij, por ndalohet nga garda, Noka tenton më pas ta godasë me shishe uji. Këto veprime i shkaktuan përjashtimin nga seanca.

13:24, 13 Shkurt 2025

SEANCA PARLAMENTARE

13:23, 13 Shkurt 2025

Flamur Nokën nuk e mbajnë nervat, “turret” drejt Ballës! Ndërpritet seanca

Gjatë seancës parlamentare këtë të enjte janë shënuar tensione të forta. Deputeti Flamur Noka vrapoi drejt ministrit Taulant Balla, por u ndal nga garda në momentin e fundit… Lexo më shumë

13:15, 13 Shkurt 2025

Bardhi “shpërthen” ndaj Ballës: Ti s’e arrin 11 Majin! Rama do ketë fatin e Veliajt

Vijojnë përplasjet në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi iu drejtua ministrit Taulant Balla duke i thënë “se nuk do e arrijë ditën e zgjedhjeve”.

“Të garantoj që ti nuk e arrin 11 Majin! Në ka një budalla mbi këtë tokë, ai je ti. Dhe mos guxo t’u thuash më demokratëve budallenj dhe ti që je atje, ndërhyn ti…U tha demokratëve budallenj një budalla i certifikuar! Të vish si anëtar këshilli bashkiak dhe të bësh avokatinë e një njeriu të korruptuar, që sot është në burg me prova. Në asnjë dosje tjetër s’ka pasur prova sa çfarë ka në rastin e kryetarit kriminel të bashkisë Tiranë.” Nga foltorja, Bardhi kërkoi që kryeministri Edi Rama të shkarkojë menjëherë nga posti i kryetarit të bashkisë Tiranë Veliajn, duke e cilësuar këtë të fundit “kriminel”. Theksoi se “Rama do ketë të njëjtin fat”.

13:01, 13 Shkurt 2025

Manja-Berishës: Të kam zili si t’ka ardhë pleqnia, por jo jeta

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, duke iu drejtuar kryedemokratit Sali Berisha në Kuvend, tha se “e ka zili këtë të fundit për mënyrën si i ka ardhur pleqëria”.

“Për zotin Sali, të kam zili se si të ka ardhur pleqnia, por jo jeta. Ngrihesh në mëngjes, bën stërvitjen e mëngjesit se je doktor dhe mban trupin në formë. Në 9 mbaron mëngjesin dhe pastaj nga ora 10 deri në 2 ke orarin e humorit me grupin parlamentar dhe miletin. Me ata që të besojnë. Si bloger fillon e u flet për fustane, parfume, çanta, prerje eurosh, me thashetheme...Lexo më shumë

13:01, 13 Shkurt 2025

Balla flet në foltore, deputetët e opozitës përplasen me gardën

Deputetët e opozitës janë përplasur me gardën gjatë seancës parlamentare. Shkak u bë fakti se kryeparlamentarja ia la fjalën ministrit Taulant Balla në një kohë kur e kishin kërkuar edhe deputetë të opozitës. “E ka kërkuar i pari fjalën. Kam respektuar replikat dhe më pas ministri”, tha Spiropali.

Kjo situatë ka sjellë ngritjen e opozitës teksa Balla fliste në foltore. U desh ndërhyrja e gardës për të ndaluar Flamur Nokën dhe deputetët e tjerë që donin t’i kalonin.

“Aq thellë do e ndjeni dhimbjen saqë në 11 Maj të gjitha humbjet e tjera do ju duken lule”, tha Balla. Ndërkohë përplasjet verbale mes Nokës, Bardhit e Ballës nuk munguan para foltores së kuvendit.

10:10, 13 Shkurt 2025

Shtyhet për të hënën Kuvendi, Noka përjashtohet pasi tentoi të godasë Ballën. Çfarë ndodhi