Mazhoranca e akuzon për shkelje të Kushtetutës

Beteja për largimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Republikës është zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi nuk ka humbur kohë dhe ka dorëzuar në këtë Gjykatë vendimin për shkarkimin e tij nga posti i lartë i Presidentit të Republikës, I cili u miratua ne seancë plenare me 104 vota pro.

Bashkë me të është depozituar edhe një dosje e plotë, ku përfshihen përshkrimi i argumenteve të shkeljeve kushtetuese të kryera nga kreu i shtetit si dhe provat përkatëse që vërtetojnë këto shkelje. Tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese që të vendos nëse do e pranojë ose jo vendimin e Kuvendit.

Në rast se trupa e gjyqtarëve do e gjejë këtë vendim të mbështetur në prova dhe fakte, atëherë kjo gjykatë deklaron shkarkimin e presidentit nga detyra. Por nëse pretendimet për shkelje të rënda të kushtetutës nuk vërtetohen atëherë kushtetuesja shfuqizon vendimin e legjislativit.

Para se të vendos, gjykata organizon një proces të mirëfilltë gjyqësor që nis fillimisht me shqyrtimin e çështjes nga kolegjet e gjyqtareve dhe më pas në seancë publike plenare. Gjatë këtij procesi gjyqtarët kushtetues kanë të drejtë të thërrasin për t’u dëgjuar palët e përfshira direkt në këtë çështje, përfshirë edhe presidentin e republikës.

I gjithë shqyrtimi i kësaj çështje duhet të përfundojë brenda 3 muajve nga depozitimi i vendimit, ndërsa për miratimin e tij duhet të votojnë pro të paktën 5 nga 7 gjyqtarët që ka aktualisht Gjykata Kushtetuese.

Mazhoranca e akuzon kreun e shtetit se ka shkelur rëndë Kushtetutën me thirrje për dhunë dhe cenim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit.

Tv Klan