Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan, të premten, një deklaratë politike me të cilën dënohet ashpër sulmi mbi institucionin e ligjvënësve me mjete shpërthyese.

Gjashtëdhjetë e tetë deputetë të Kuvendit votuan për një deklaratë, të cilën e harmonizuan pas një debati të gjatë në një seancë të rregullt.

“Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike”,

  thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët kanë kërkuar nga “institucionet e sigurisë që të ndërmarrin masat e duhura dhe sa më parë të zbardhin këtë sulm qyqar, ndërsa kriminelët të vihen përpara drejtësisë”.

Në deklaratë theksohet se “Kuvendi po ashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë organet e drejtësisë në zbardhjen e këtij akti kriminal”.

Drafti i fundit i deklaratës u miratua, pas një debati në Kuvend dhe vetëm pasi u hoq një paragraf në të cilin thuhej se “të gjitha mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen vetëm me dialog politik dhe se qëllimet politike nuk mund të arrihen me dhunë”.

Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli në ndryshimin e tekstit dhe “heqjen e pjesës që paragjykon”, siç tha, “duke aluduar se sulmi ishte rezultat i mosmarrëveshjeve politike dhe se prapa tij qëndron opozita”.

Policia mbledh provat e sulmit mbi Kuvendin

Policia e Kosovës ka gjetur një numër dëshmish në afërsi të Kuvendit të Kosovës gjatë periudhës së zhvillimit të hetimeve, përfshirë edhe një mjet për hedhjen e predhave, e megjithatë, nuk kanë dashur të ofrojnë hollësi të tjera, për shkak të, siç thonë, “ndjeshmërisë së hetimeve“.

Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se “Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur dëshmi relevante, në mesin e të cilave edhe një mjet për hedhjen e predhave, shishe të benzinës (koktej molotovi) dhe një motoçikletë të djegur, jo larg nga vendi i ngjarjes”.

Policia beson se dëshmitë nga vendi i ngjarjes do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, që ndodhi të enjten në mbrëmje rreth orës 23.

Burime zyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë, se sulmi u bë me predhë antitank, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.

Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.

Musliu: Sulmi ka elemente terroriste

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, e ka cilësuar sulmin si “terrorist”, bazuar mbi dëshmitë që kanë mbetur në vendin e ngjarjes.

“Është sulmuar institucioni i Kosovës me mjete ushtarake ndër me të fortat, me predha hedhës, i cili në gjuhën ushtarake shërben për asgjësimin e mjeteve të blinduara, por edhe për objekte të forta dhe bunkerët. Vet përgatitja, logjistika implementimi dhe tërheqja i përmbush të gjitha elementet ligjore për t’u quajtur akt terrorist”,

 tha Musliu në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë./tvklan.al

Burimi: Radio Evropa e Lirë