Kuvendi i Kosovës po e vazhdon sot debatin në lidhje me dialogun me Serbinë, i cili është iniciuar nga opozita. Ndonëse fillimisht, në pjesën e parë të seancës, të mbajtur të premten, Partia Socialdemokrate propozoi një rezolutë, më pas tri partitë opozitare dolën me tri versione të tekstit të rezolutës, që pretendojnë ta miratojnë në Kuvend.

Propozimet e opozitës për dialogun dallojnë, por emërues i përbashkët i qëndrimeve opozitare është që dialogun nuk mund ta udhëheqë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar që fillimisht të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në mënyrë që të fitohet një legjitimitet i plotë përfaqësues.

Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar që të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë, ngase sipas saj, aktualisht në dialog po negociohen çështjet e brendshme të Kosovës.

Vetëvendosje ka kërkuar vendosjen e reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë, padi ndaj Serbisë për gjenocid, si dhe që presidenti Thaçi të mos e udhëheqë procesin e dialogut.

Kurse, Partia Socialdemokrate, e cila ka inicuar debatin për dialogun dhe ka propozuar rezolutën në Kuvend, kërkon që përgjegjësinë për dialogun ta marrë përsipër Kuvendi i Kosovës. Gjithashtu, është propozuar që një Komision parlamentar të mbikëqyrë dialogun, të cilin do ta drejtonte opozita.

Me versionet e rezolutave të opozitës nuk janë pajtuar partitë në pushtet, sidomos, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këto dy subjekte politike i kanë dhënë mbështetje Thaçit në rolin prijës në dialog dhe kanë ftuar opozitën që të bashkohet në procesin final të bisedimeve me Serbinë, përmes krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës dhe hartimit të një platforme të përbashkët, si qëndrim zyrtar i Kosovës karshi bisedimeve me Serbinë.

Nisur nga këto dy pozicione, të pushtetit dhe opozitës, është pak e pritshme që në fund të seancës Kuvendi të dakortësohet për të votuar një version unik të rezolutës për dialogun.

Seanca për dialogun ka nisur të premtën, por ishte ndërprerë për shkak të vdekjes së veprimtarit politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi./REL