Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën kundër organizimit të referendumit serb në Kosovë me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Kosovë, cënon rendin kushtetutes dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe normat dhe praktika ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti në seancën e jashtëzakonshme ka thënë se një ndër pikat është që qytetarëve me dy shtetësi t’ju mundësohet që të votojnë përmes postës, ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë. Kjo rezolutë përmban gjithsej 8 pika.

Por para se të votohej rezoluta, i ashpër me Kryeministrin ka qenë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku.

Ai tha se nuk e kupton pse duhet pasur rezolutë kur Kushtetuta e definon qartë çështjen për referendumin serb. Sipas tij, Kryeministri nuk ka guxim të marrë vendim për këtë çështje.

Për të njëjtën çështje deputetët e PDK-së kanë refuzuar të marrin pjesë në seancë. Ndërsa AAK ka përkrahur rezolutën.

Shefi i grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiç, kritikoi institucionet e Kosovës se po cenojnë popullin serb në Kosovë ndërsa më pas deputët serbë braktisën seancën.

OSBE-ja ka deklaruar se nuk mund t’i mbledhë votat për referendumin serb pasi duhet pajtimi i të gjitha palëve ndërsa ka përmendur edhe rrethanat me pandeminë.

Tv Klan