Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Seanca e së hënës është thirrur me kërkesë të partive opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka për qëllim që në fund të debatit të miratohet një rezolutë, që do të bënte thirrje për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë prezantimit të çështjes për diskutim tha se seanca është thirrur për ta “ballafaquar paaftësinë e Qeverisë” me krizën energjetike, duke shtuar se ekzekutivi i kryeministrit Albin Kurti, ka shpërfillur krizën derisa ajo goditi qytetarët.

“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për energjinë elektrike tregon një përgjegjshmëri të lartë politike opozitare karshi kësaj situate. Por, në anën tjetër tregon edhe një papërgjegjësi jashtëzakonisht të madhe të këtij kryeministri [v.j. i Kosovës, Albin Kurti] që sot kur ka një debat kaq të rëndësishëm dhe kur ka një preokupim kaq të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovë, që kanë filluar të përballen me reduktime të ashpra, dhe në anën tjetër me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, ai nuk e gjen kurajën dhe vullnetin për të qenë në këtë seancë”, tha Tahiri.

Megjithatë, kryeministri Kurti shkoi në seancë pak pas nisjes së saj.

Tahiri shtoi se për 20 vjet, qytetarët e Kosovës e kanë paguar më së liri energjinë elekrike në rajon dhe Evropë.

Por, shefja e Grupit Parlamentar e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo seancë është thirrur nga opozita që të fitojë poenë politikë.

“Ajo që po ndodh aktualisht nuk është kërkesa e juaj për të thirrur seancë për të gjetur zgjidhje, por është kërkesë për seancë për të bërë luftë politike”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila, megjithatë tha se të gjithë kanë të drejtë të brengosen për situatën e krijuar, por shtoi se këtë situatën nuk e kanë shkaktuar atë, “por e trashëguam”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e akuzoi Qeverinë për “hipokrizi politike” pasi tha se për tema të tjera kërkon konsensus të partive politike, por në rastin për shtrenjtimin e rrymës, ekzekutivi nuk po ka konsensus.

Ai tha se Qeveria Kurti reagoi shumë më vonë ndaj krizës energjetike, që ka goditur rajonin dhe Evropën.

“Pra, është reagimi i vonshëm, kryesisht si rezultat i paaftësisë që ka sjellë fillimisht reduktime dhe më pas rritje enorme të çmimeve”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se e ardhmja e Kosovës është drejt energjisë së pastër, andaj kërkoi që Qeveria të lëshojë leje për investime private në ndërtimin e kapaciteteve për energji të ripërtërishme, kryesisht të energjisë solare dhe asaj me erë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri paralajmëroi se nëse rriten çmimet e energjisë, do të ketë efekt zinxhiror në të gjithë sektorët në vend.

Ai akuzoi Qeverinë dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, se nuk kanë tentuar që të gjejnë zgjidhje për krizën energjetike.

“Qeveria dhe ZRRE-ja nuk kanë qenë në bashkëpunim dhe koordinim në raport me parandalimin, gjetjen e zgjidhjes në këtë problem. Por, kanë qenë jashtëzakonisht të sinkronizuar në përcaktimin e tarifave për energji”, tha Tahiri.

Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.

Kurti sërish arsyeton rritjen e çmimit të rrymës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit tha se problemet e trashëguara kanë kulmuar në krizën energjetike me të cilën po përballen qytetarët.

Kurti përmendi dy probleme, të cilat ai tha se kanë rënduar situatën në fushën e energjisë.

“Dy probleme kryesore të dekadës së fundit. I pari është ai i 17 tetorit të vitit 2012: vendim për shitjen e aksioneve të Kompanisë së Shpërndarjes dhe Furnizim të Energjisë Elektrike. Nuk do të ndodheshim në këtë situatë sikurse të mos e kishim një monopol privat në këtë fushë. Dhe kemi pasur një shitje prej 26.3 milionë eurove të kompanisë me vlerë shumëfish më të madhe. Dhe data tjetër, 31 mars 2017: ndryshimi i strukturës tarifore, heqja e bllok-tarifës. Konsumatorët me konsum më të ulët subvencionojnë konsumatorët me konsum më të lartë. Këto dy janë probleme kapitale që i kemi trashëguar sot”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se duhet të kuptohet se “nuk ka zgjidhje ideale në një krizë të thellë e të rëndë të shkaktuar ndër shumë vite”.

“Unë nuk jam për reduktim të energjisë elektrike. Nëse nuk duam reduktim, atëherë duhet ta kuptojmë se ose duhet të kemi subvencionim nga shteti ose shtrenjtim të energjisë ose kombinim të këtyre të dyjave, për ta gjetur njëfarë mesi të artë në një situatë ku nuk ka zgjidhje të mirë. Nuk ka mundësi tjera”, tha Kurti.

Sa pritet të jenë faturat e energjisë?

Në propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./REL