Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sot projektligjin për buxhetin e vitit 2021. Sipas rendit të ditës bëhet me dije se sot do të miratohen dhe disa marrëveshje ndërkombëtare krahas buxhetit.

Projektligji për buxhetin është dërguar në Kuvend nga qeveria Hoti e cila është shpallur jolegjitime nga Gjykata Kushtetuese dhe pritet që të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Avdullah Hoti u ka kërkuar deputetëve që të votojnë sa më parë buxhetin dhe Kuvendi aktual të jetë në detyrë deri kur një gjë e tillë të ndodh dhe të mos shpërndahet para kohe.

Nga ana tjetër Bashkimi Evropian dhe vende aleate kanë kërkuar që Kuvendit të mos shpërndahet pa miratuar buxhetin për vitin 2021. Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm kap vlerën 2.4 miliardë Euro./tvklan.al