Do të ndihmohen bizneset në prag falimenti dhe ata që kanë humbur punën nga pandemia

Rimëkëmbja ekonomike ishte prioritet i kryeministrit Avdullah Hoti me të marrë mandatin qeverisës, por ligji për rimëkëmbje ekonomike ka arritur të kalojë në Kuvend tek sot.

Ishin deputetët e opozitës nga PDK-ja ata që votuan pro këtij ligji pasi që në komisionet parlamentare u futën edhe katër propozime të kësaj partie. Kryeministri Avdullah Hoti tha se ky është momenti kyç për t’u dalë në ndihmë bizneseve.

“Dua t’i falënderoj publikisht deputetët e PDK-së. Besoj se këto katër amendamente e kanë pasuruar pakon. Do të jetë kosto më e madhe për buxhetin, por është momenti i vetëm kur shteti duhet t’u dalë në ndihmë bizneseve.

Amendamenti më i përfolur i propozuar nga PDK-ja është rimbursimi i 10 përqindëshit që qytetarët mund të tërheqin nga Trusti pensional. Do të rimbursohen vetëm ata që kanë deri në 10 mijë Euro në Trust. Ndërsa ka dështuar propozimi i deputetit Bekim Haxhiu që qytetarët që kanë nën 10 mijë Euro të mund të tërheqin  30% të mjeteve nga trusti i kursimeve pensionale. Ky propozim mori vetëm `4 vota për.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka hedhur kritika ndaj pakos së rimëkëmbjes ekonomike.

“Është një fond ku nuk specifikohet asgjë, ku Qeveria do ta ketë në dorë të vendos ad hoc kujt do ia jap paratë”.

Ligji parasheh rimëkëmbjen ekonomike pas situatës me pandeminë, ndihmë bizneseve  shumica prej të cilave janë në prag të falimentimit ndërsa për tre muaj do të kompensohen nga 300 euro të gjithë personat e evidentuar se janë larguar nga puna për shkak të pandemisë.

Ky ligj kishte dështuar disa herë radhazi të miratohej pasi nuk përkrahej nga opozita.

Tv Klan