Në Kuvendin e Partisë Demokratike për Tiranën, kryeministri njëkohësisht kryetari i PD do t’i kushtonte pothuaj gjithë fjalimin e tij kryeqytetit, ambicies së demokrateve për ta shndërruar në metropolin e vendit.  Ajo çfarë do të theksonte që në fillim kryeministri Berisha, ishte vota e Tiranës 4 vjet më parë, që shënoi sipas kryetarit të qeverisë kthesën historike për vendin. Një fakt që kryeministri do ta përdorte si arsye te forte për të falënderuar qytetaret e Tiranës për votëbesimin.

Sali Berisha: “Në këtë bilanc le të shprehim ne edhe një herë mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh, respektin më të palëkundur ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që katër vjet më parë sollën në pushtet qendrën e djathtë shqiptare, lokomotivën e vërtetë të reformave, lokomotivën e integrimit, lokomotivën e prosperitetit, lokomotivën e demokracisë. Votuan për një Shqipëri tjetër, të pa dominuar nga Nehat Kulla dhe bandat e tjera. Sot Tirana është kryeqyteti i një vendi me tregues kriminaliteti, qartësisht më të ulëta se mesatarja anëtare të Bashkimit Europian. Tirana, këto 4 vite udhëhoqi vendin dhe kombin në reformat më të thella, më transformuese në historinë e saj. Reforma të cilat bënë të mundur si në asnjë vend tjetër të mbahen premtime, të cilat 4 vite më parë dukeshin të paimagjinueshme.”

Tashmë Tirana është në një start të ri tha kryetari i qeverisë, kryeqytet i një vendi anëtar të NATO-s,  aplikant për statusin kandidat në Bashkimin Evropian, si dhe shumë shpejt do të lëvize pa viza në të gjithë Evropën. Në fjalimin e tij Berisha sulmoi modelin me të cilin qeveris Edi Rama Tiranën. Kryeministri tha se në Tiranë mungojnë investimet e bashkisë, ndonëse qeveria ka pesëfishuar grantin për kryeqytetin.

Sali Berisha: “Jemi këtu për tu zotuar se 28 qershori do shembë edhe murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, murin e ndërtuar me lejet e ndërtimit dhe korrupsionit të tyre. I kërkoj kryetarit të bashkisë së Tiranës të dorëzojë projektin e Unazës së Madhe të Tiranës. Ne jemi të gatshëm, ta përfundojmë atë brenda 1 viti, ne jemi të gatshëm të zgjidhim në një kohë rekord problemet e trafikut të këtij qyteti. Ne jemi të vendosur  të nxisim biznesin dhe zhvillimin e tij në kryeqytetin e vendit...”tvklan.al

Gazetare: Menata Zaimi