Kuvendi i ri maqedonas me deputetë nga 6 koalicione dhe parti


Kuvendi i ri maqedonas me deputetë nga 6 koalicione dhe parti

13:38 16/07/2020

LSDM dhe VMRO-DPMNE, sipas projeksionit të KSHZ-së për mandatet e fituara, në përbërjen e re kuvendore do të kenë më pak deputetë ndërsa BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët do të rrisin përfaqësimin e tyre në Parlament.

Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja në përbërjen e re kuvendore do të ketë 46 deputetë, ndërsa në atë paraprake kishte 49. VMRO-DPMNE tani do të ketë 44 deputetë, shtatë më pak se në përbërjen e mëparshme.

Dy partitë në këto zgjedhje fituan edhe më pak vota në krahasim me vitin 2016. Për LSDM-në votuan 324.084, ndërsa në vitin 2016 kishin votuar 436.981 qytetarë. VMRO-DPMNE tani fitoi 312.745, kundrejt 454.577 para katër viteve.

Në zgjedhjet e djeshme, megjithatë, jehona ishte më e vogël se sa në zgjedhjet e vitit 2016. Në votim dolën rreth  923.000 qytetarë ose 51 përqind, ndërsa në vitin 2016 votuan 1.191.852 ose 66,79 përqind. Këto zgjedhje u mbajtën edhe në kushte specifike për shkak të pandemisë dhe votim nën protokolle të posaçme shëndetësore.

BDI-ja e cila deri më tani kishte 10 deputetë, në Kuvendin e ri do të ketë 15, ndërsa Aleanca për Shqiptarët e cila tani është në koalicion me Alternativën prej 3 deputetë, tani do të ketë 12 deputetë. PDSH-ja do të ketë 1 deputet, nga 2 që kishte deri më tani.

BDI-ja në zgjedhjet e djeshme fitoi 15.000 vota më shumë në krahasim me vitin 2016 ose 101.432, ndërsa për Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën votuan 76.425 më shumë se sa para katër viteve.

E Majta e cila për herë të parë hyn në Parlament edhe në përbërjen e re kuvendore do të ketë 2 deputetë, fitoi 37.057 vota që është për 25.000 më shumë se sa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

PDSH-ja, fitoi 13.553 vota, që është gati dyfish më pak se në zgjedhjet e vitit 2016.

Besa e cila në këto zgjedhje ishte në koalicion me LSDM-në, në zgjedhjet kaluara fitoi  57.868 vota dhe kishte 5 deputetë në Kuvend. Grupi parlamentar i Besës u nda dhe 3 deputetë kaluan te Alternativa e cila në këto zgjedhje është në koalicion me Aleancën për Shqiptarët./MIA




Të ngjashme