Ministri i Drejtësisë: Hakmarrje politike

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të enjten hodhi poshtë nismën për amnisti të propozuar nga Qeveria, që parashikonte lirimin nga burgu të personave të dënuar deri gjashtë muaj burgim, ndërsa të dënuarit me mbi gjashtë muaj burgim, do të përfitonin ulje të dënimit prej 30 për qind.

Qeveria nëpërmjet ministrit të Drejtësisë kishte kërkuar që drafti të kalohej me procedurë të përpshpejtuar, por 66 deputetë votuan kundër dhe vetëm 15 ishin pro. Tre deputetë e tjerë abstenuan.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, e interpretoi këtë si hakmarrje ndaj mos mbështetjes e ndryshimeve të fundit në Kodin Penal nga ana e tij dhe partisë së tij.

“Mua më vjen mirë që sot shteti në Maqedoni ka dy fytyra, një fytyrë të cilën e tregoi para disa javëve, kur brenda natës mund të amnistohet kriminel të lartë dhe një fytyrë sot, kur bëhet fjalë për qytetarë të thjeshtë, njerëz të cilët nuk kanë njerëz të fuqishëm nëpër institucione dhe njerëz të cilët nuk kanë fuqi financiare dhe çmimin do ta paguajnë ato. Kjo Maqedoni duhet të marrë fund. Qytetari duhet të jetë para funksionarëve dhe unë do ta kem këtë prioritet deri në fund të mandatit tim”.

Ai tha se propozim ligji për amnisti do të propozohet sërish me procedurë të rregullt. Sakaq VMRO – DPMNE dhe LSDM paralajmëruan se do të dorëzojnë amendamente, me qëllim që ky ligj të mos përfshijë edhe zyrtarët e lartë të dënuar, si ajo e rastit “Monstra”.

Klan Macedonia