Miratohet projektligji në komision, kryetarja Açka: Puç dhe shkelje ligji

Pa vullnetin e kryetares Flutura Açka, në ditën kur Skënder Gjinushit i mbaron mandati në krye të Akademisë së Shkencave, anëtarët socialistë të Komisionit për Edukimin në Kuvendin e Shqipërisë u mblodhën dhe brenda 4 minutash votuan  projektligjin që i lejon Gjinushit një mandat i dytë në krye të këtij institucioni.

“Është një projektligj i propozuar nga unë dhe zoti Beqiraj. Ka mbështetjen e gjithë asamblesë së Akademisë së Shkencave. Në mënyrë të parregullt, kryetarja e Komisionit nuk ka lejuar votimin dhe procedimin sipas rregullores për t’i dhënë fund gjithë kësaj odiseje”, tha Petro Koçi.



Në një reagim publik në rrjetet sociale, Flutura Açka e konsideroi një puc dhe akt antiligjor për t’i zgjatur mandatin Skënder Gjinushit.

“Në të gjitha hallkat e shqyrtimi të projektligjit të sjellë në Kuvend nga kolegët Koçi e Beqiraj, ka pasur shkelje, mospërputhje ligjore, manipulime të dokumentacionit të ardhur nga ASH dhe nonsense që kërkojnë kohën e vet për një produkt cilësor. Nxitimi ka vetëm një qëllim, siç ka edhe ligji vetëm një emër: të shpëtojmë kryetarin e ikur të Akademisë së Shkencave, edhe pse për ta bërë këtë shkelet ligji hapur faqe shqiptarëve”.

Me miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore, i hapet rruga Skënder Gjinushit që pas përfundimit të mandatit 4-vjecar, të rikandidojë për një tjetër mandat, gjë që ndalohej nga ligji në fuqi.

Ligji ndër të tjera, ka hequr kufizimin e moshës 75 vjeç për kryetarin. Këto ndryshime, vulën përfundimtare pritet ta marrin të enjten, në seancën e fundit plenare.

Klan News