Votohet qeveria e re e Kosovës



Votohet qeveria e re e Kosovës

13:16 03/06/2020

Avdullah Hoti do të jetë Kryeministri i ri i vendit

Avdullah Hoti do të jetë Kryeministri i ri i Kosovës. Me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim, qeveria Hoti mori këtë të mërkurë miratimin e Kuvendit të Kosovës. Në votim morën pjesë 86 deputetë.

Në nisje të seancës, Avdullah Hoti ka prezantuar planin e tij qeverisës. Ai tha se qeveria do të ketë dy prioritete kryesore, luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Hoti u shpreh se së bashku me partnerët e tjerë qeverisës do të kujdesen edhe për prioritetet e tjera si forcimi i shtetit, avancimin i demokracisë, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, marrja e përgjegjësive kushtetuese për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me përfshirje të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Avdullah Hoti në seancë

Presidenti Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga radhët e LDK për kryeministër të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti, përmes mocionit të mosbesimit.

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 Tetorit e dërgoi dekretin e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese dhe më 28 Maj, gjykata i dha të drejtë Thaçit për mandatarin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi formimin e qeverisë së re dhe kërkoi zgjedhje të reja. Ajo ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin “Duam zgjedhje”, peticion ky i cili online ka nisur më 30 Maj.

Shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu dhe heqja e tarifës 100 % ndaj Serbisë pa reciprocitet, u bënë shkak i prishjes së koalicionit LVV-LDK pas më pak se 50 ditësh. /tvklan.al

Përbërja e kabinetit qeveritar të qeverisë Hoti

  • Avdullah Hoti, kryeministër
  • Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë
  • Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër
  • Albulena Bala – Halimi, zëvendëskryeministëre
  • Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal
  • Hykmete Bajrami, ministre e Financave
  • Besjan Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
  • Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
  • Anton Çuni, mbetet ministër i Mbrojtjes
  • Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit
  • Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme
  • Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë
  • Blerim Kuçi , ministër i Zhvillimit Ekonomik
  • Selim Selimi, ministër i Drejtësisë
  • Meliza Haradinaj – Stublla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
  • Ramë Likaj, ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
  • Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqënies Sociale
  • Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë
  • Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Komunitete
  • Enis Kervan, ministër i Zhvillimit Rajonal


Të ngjashme