Komisioni Hetimor pranoi opinionin e Komisionit të Venecias

Një vit pas ngritjes së tij, Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës ka përmbyllur hetimet.

“Komisioni Hetimor i quan të përfunduara hetimet, me përmbushjen e të gjitha pikave të planit të hetimit. Ne do marrim në 17, raportin dhe në mbledhjen e datës 20 Korrik, që i bie ditë e hënë do zhvillojmë diskutimin mbi raportin dhe miratimin e raportit”.

Pjesë e provave të depozituara nga Komisioni janë bërë dhe 2 opinionet e Komisionit të Venecias. Si ai për dekretin e Metës që shfuqizonte 30 Qershorin 2019 si datën e zgjedhjeve, e që u bë dhe shkas për këtë iniciativë të socialistëve, ashtu dhe raporti i fundit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, një tjetër çështje kjo që iu bashkangjit hetimit parlamentar.

Në të dy raportet, ekspertët e Venecias nuk gjejnë shkelje të tilla nga ana e Presidentit të Republikës, që të legjitimonte shkarkimin e kreut të shtetit.

Edhe pse nuk dihet cila do jetë fjala e fundit e parlamentit për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, në dukje socialistët e kanë zbutur qëndrimin e tyre dhe nuk kanë artikuluar më largimin e Ilir Metës nga zyra përpara përfundimit të mandatit në Korrik të 2022.

Tv Klan