Kuvendi i Kosovës, pas mesnate votoi Buxhetin për vitin 2019. Pro votuan 65 deputetë, përfshirë deputetët e PSD-së në opozitë, duke evituar kështu një krizë institucionale sa i përket buxhetit dhe pagave në sektorin publik.

Për te siguruar votat e deputetëve te PSD-së kryeministri Haradinaj para se të niste seanca maratonike e Kuvendit shkarkoi nga pozita ministrin serb Nenad Rikalo, si kusht i vënë nga PSD-ja .

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj nëpërmjet statuseve në Facebook kanë përshëndetur miratimin e buxhetit për vitin 2019 nga deputetët.

Në seancë është shqyrtuar edhe projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj njëherësh edhe bashkëkryesues i Ekipit Negociator në dialog me Serbinë, ka kërkuar nga deputetët që në këtë seancë të fokusohen në Projektligjin për Dialogun, e jo për platformën për këtë proces.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje , Albulena Haxhiu, ka njoftuar se kjo parti,  do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese projektligjin për dialogun.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe propozim-statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça”. Kryeministri Haradinaj ka deklaruar se me votimin e Statutit të “Trepçës” kanë zgjuar gjigantin kosovar.

Tv Klan