Rama tregon vështirësitë për sigurimin e dozave të Pfizer

Në seancë e parë të këtij sesioni të fundit parlamentar, deputetët kanë miratuar 3 akte normative të qeverisë për marrjen e autorizimit për zhvillimin e negociatave edhe me kompani të tjera prodhuese të vaksinës anti-COVID, për miratimin e marrëveshjes me Pfizer dhe autorizimit për shpërndarjen e vaksinave edhe pse e kishin të pamundur të njiheshin me tekstin e tyre për shkak të kushteve të parashikuara në kontratën me Pfizer.

Por morën premtimin e kryeparlamentarit se do të njiheshin me përmbajtjen e tyre në komisionet parlamentare por me kushtin që mos te dal ky dokument në media.

“Rezultati i votimit është pro 94, 5 kundër, 3 abstenim, miratohet”.

Vetë kryeministri foli për vështirësitë që ka hasur procesi i sigurimit të vaksinës duke përsëritur kritikat për BE dhe lajmëroi se nuk do të mbajnë shpresat vetëm tek kompani Pfizer për sigurimin e dozave të tjera të vaksinës për të arritur objektivin e skenarit 1 që brenda 14 muajve të përfundojë i gjithë vaksinimi falas i popullatës.

“Do të ishte sipas nesh e nxituar dhe e gabuar që të kontraktonim menjëherë të gjithë sasinë e nevojshme të vaksinave për të gjithë periudhën e vaksinimit. Kemi parasysh dhe çmimin dhe i kemi lënë vetes hapësirë për vendimet e duhura”.

Kryeministri jep detaje nga dokumenti i firmosur me kompaninë amerikane ku sipas tij ndalohet dhurimi i dozave pa dijeninë e saj si dhe që çmimi është i njëjtë për të gjitha shtetet.

“Vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, qoftë për të dhuruar qoftë për shitur, qoftë për të shkëmbyer në kohë të ndryshme duhet që të marrin leje. Çmimi është fiks”.

Iu përgjigj atyre që ironizojnë vaksinimin e tij në ditën e parë të mbërritjes së dozave të para në vend.

“Në momentin kur pjesa që ka bërë vaksinën do duhet të rikthehet të marrë dozën tjetër. Ata që janë të gatshëm, unë po, të bëjë një transparencë mbi antitrupat. Ka pasur dhe analist të rangut të lartë që kanë thënë se unë jam injektuar me ujë biologjik”.

Rama përsëriti qëndrimin se rasti i sanitares së spitalit COVID2 që u denoncua në emisionin “Stop” në TV klan nuk mund të jete rast përgjithësues për të sulmuar bluzat e bardha.

Tv Klan