Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicën prej 74 votash Rezolutën e paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Deputetët e Kuvendit, të të gjitha partive politike, kanë kërkuar përmes miratimit të Rezolutës rrënimin e murit që në janar të vitit 2017.

Rezoluta në Kuvendin e Kosovës u paraqit nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili tha se “projekt rezoluta është përkrahur edhe nga grupet tjera parlamentare të Kuvendit të Kosovës”.

Në projekt rezolutë përveç kërkesës për heqjen e murit në janar të vitit të ardhshëm kërkohet nga “Qeveria e Kosovës që të angazhohet që organet kompetente për trajtimin e ndërtimeve pa leje, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet për murin që është në ndërtim e sipër në pjesën e urës së Ibrit. I njëjti të trajtohet si veprim politik dhe ndërtim pa leje”.

Në projekt rezolutë veç tjerash thuhet:

Qeveria e Kosovës të merr masa të nevojshme që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta t’i përmbajë të gjitha elementet që kishte pa vitit 1999 dhe jo t’i shtohen elemente tjera ilegale, siç është muri dhe shkallët.

“Të bëhet e mundur që sa më shpejtë qytetarët të kthehen në pronat e tyre në të dy pjesët e qytetit të Mitrovicës”

 ka thënë Lekaj

Projekt rezoluta u paraqit afro një javë më parë në Kuvendin e Kosovës por ajo u kërkua që të ndryshohet dhe të plotësohet dhe prandaj edhe u u fut në rend të ditës në ditët e fundit të vitit 2016.

Nga rezoluta janë tërhequr dy pika, që kanë të bëjnë me shkarkimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, dhe ndërprerja e bisedimeve me Serbinë., që ishin diskutuar të premten e kaluar deri në orët e vonë të mes natës

Disa deputetë në Kuvend kanë kërkuar në debat që edhe një herë të riformulohet projektrezolut, duke saktësuar subjektin që i drejtohet ajo dhe për cilën mur bëhet fjalë./tvklan.al

Burimi: (REL)