Opozita voton propozimin e PS për Kodin Rrugor, shumicë votash dhe për ligje të tjera

Këtyre skenave në parlament duket se u ka ardhur fundi, të paktën për momentin. Në seancën e fundit plenare opozita dhe mazhoranca u duk se e kishin gjetur gjuhën e përbashkët dhe kjo më së shumti u reflektua në fund të seancës, teksa u duhej të ngrinin kartonin.

Ndryshimet në Kodin Rrugor, të propozuara nga Taulant Balla të cilat kërkonin shumicë të cilësuar, arritën të kalonin në parlament me 101 vota. Mes deputetëve që ngritën kartonin jeshil për këto ndryshime ishin Enkelejd Alibeaj, Agron Duka dhe Dash Shehi. 6 vota kundër ishin nga deputetët e grupimit të Berishës.

Mazhoranca dëshmoi se ka shumicën në parlament, përfshirë dhe opozitën edhe me votat pro të dhëna për ligjin për Bletarinë apo edhe  ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, edhe PDIU vijon të japë votën pro ndaj mazhorancës. Së fundmi për projektligjin e menaxhimit financiar, ndërsa më herët për ligjin e taksimit të dyfishtë.

Mesa duket opozita dhe mazhoranca përçarjen e kanë vetëm në foltore, pasi kur vjen puna për votën, e gjejnë gjithmonë rrugën drejt njëri tjetrit.

Klan News