Gjykata Kushtetuese të mos e zbatojë dekretin për Xhaferllarin

Parlamenti do të mblidhet të premten në seancë të jashtëzakonshme, si reagim për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese nga dekreti i Presidentit Meta, për Marsida Xhaferllarin.

Seancës i paraprin një rezolutë e miratuar në Kryesinë e Kuvendit nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, që e cilëson të pavlefshëm dekretin e kreut të shtetit, për të emëruar Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses.

“Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e KED, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit. Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”.

Në rezolutën e siguruar nga Televizioni Klan, e cila pritet të votohet të premten në parlament i Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese të mos e njohë dekretin e Presidentit.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin e Presidentit datë 13.11.2019”.

Kuvendi vlerëson se Presidenti po tenton të bllokojë Reformën në Drejtësi dhe institucionet e saj dhe i kërkon Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit, që ta administrojë edhe këtë akt. 

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese”.

“Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Komisionit hetimor për shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës të përmbyllë punën e tij brenda afatit të caktuar në vendimin e Kuvendit datë 03.10.2019 dhe të marrë në konsideratë gjatë punës së tij edhe këtë situatë të krijuar nga Presidenti në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji dhe të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Tv Klan