Teksa Kuvendi pritet të shprehet me votë për dërgimin ose jo për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të saj, Olta Xhaçka i cilësoi shpifje akuzat e ngritura nga opozita, duke thënë se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë përfituar asgjë.
Olta Xhaçka: Shpifje…Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike! Zero! Asnjë centimetër katror truall shtetëror! Zero! Asnjë lehtësi procedurialet e ndryshme nga të tre të tjerët. Zero! Dhe e dini çfarë është përfitimi nga statusi i investitorit strategjik të asistuar nëse duhet apo s’duhet të vërë shezlonet në plazh kur investimi të ketë përfunduar, kushedi se kur…”
Prerazi mohoi që kompania e bashkëshortit të saj të jetë favorizuar për dhënien e statusit të investitorit strategjik për ndërtimin e një objekti turistik në Himarë.
Olta Xhaçka: As nga unë, as nga bashkëshorti im, as nga shteti që i ka dhënë një status aspak ekskluziv, po tërësisht ligjor njësoj si dhjetra e dhjetra sipërmarrje të tjera, sipërmarrjes ku im shoq është pjesë, me një investim 100% privat dhe të mbështetur në një dokumentacion 100% transparent dhe të verifikueshëm pa asnjë vështirësi, nuk është shkelur asnjë ligj dhe nuk është bërë asnjë paligjshmëri apo favorizim i veçantë. Bashkëshorti im vendosi të bëjë një investim jo në tokë të falur nga kryeministër, por në truall privat të blerë nga pronarë privat në zona ku regjistrimi i tokave është i papërfunduar.
Demokratëve, me të cilët replikoi gjatë seancës plenare u kujtoi se Kushtetuesja e ka pushuar çështjen ndaj saj që në janar të vitit të kaluar, ndaj dhe Kuvendi nuk ka për çfarë të votojë.
Olta Xhaçka: Jam menduar ta lë mandatin, sot Kuvendi s’ka ça voton fare se çështjen time GJK e ka pasur e ka shqyrtuar dhe e ka pushuar me vendim.
Gazment Bardhi: E ka thënë dhe GJK, e zeza në të bardhë mandatin dhe papajtueshmërinë e mandatit e shqyrton vetëm GJK. Pse fshihesh pas pantallonave të Ramës?
Olta Xhaçka: Ke ardhur këtu me ngjyrat e partisë, me interesat e vogla të ditës për të bërë inkuizitorin e madh, por nuk të shkon. Keyeministri nuk shpërndan prona.
Gazment Bardhi: Rezulton se në pronën që i ka dhënë Edi Rama i ka bashkëshortit të zonjës që i bëri avokatin këtu, janë 11 mijë metra katrorë që janë grabitur me dokumente të falsifikuara. Pasi i kanë falsifikuar letrat për 5 ditë kanë kaluar pronat në pronësi të bashkëshortit.”
Sipas ish-Ministres së Jashtme, kompania e bashkëshortit të saj ka përfituar në mënyrë ligjore një nga 1500 kontratat e përvitshme të qerasë për sipërfaqen e plazhit përpara hotelit.
Klan News