PS: Meta, manovra për të zgjedhur të preferuarën e tij

Thirrja e Presidentit pak orë përpara votimit nuk u dëgjua nga Parlamenti, i cili bashkoi votat e shumicës dhe opozitës për të miratuar 2 anëtaret më të reja të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin të cilat morën 105 vota secila.

Kryetari i Kuvendit, duke iu përgjigjur kreut të shtetit, tha se kishte marrë vlerësimin e të gjitha institucioneve, përfshirë dhe Këshillit të Legjislacionit që u mblodh gjatë paradites, dhe kishte arritur në përfundimin se KED kishte respektuar procedurën për shpalljen e listave të kandidatëve si për Presidentin ashtu dhe Parlamentin.

Mazhoranca është e bindur se kreu i shtetit me kërkesën për të ngrirë procesin e përzgjedhjes së anëtares së 2 të Gjykatës Kushtetuese, synonte të arrinte dy qëllime.

“Presidenti bën mirë të heqë maskën dhe të flasë troç, nuk ka as hallin e Kushtetutës, as afatin kohor, por ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me katër veta, sepse ka parë që e katërta e renditur është një person tek i cili ka besim, sipas tij, ka njohje… O lum miku, do të çojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt. Tani le të dalë ai zotëria dhe të thotë është kështu apo jo. Kjo është troç, lërini dënglat”, deklaroi Taulant Balla.

Pas skadimit 30-ditor, e para e listës që KED i kishte dërguar kreut të shtetit për të plotësuar vakancën e dytë në Kushtetuese, Arta Vorpsi të shtunën u emërua automatikisht si anëtare, çka u shpall edhe në Fletoren Zyrtare.

Të 3 anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse u përzgjodhën nga KED si më të vlerësuarat, rezulton se nuk kanë mundur të marrin pikët e nevojshme në testin e përgatitur nga Shkolla e Magjistraturës për të gjithë kandidatët që janë subjekte rivlerësimi në komisionet e Vettingut.

Tani Gjykata Kushtetuese ka 5 gjyqtarë. Por Besnik Muçi, i zgjedhur nga Presidenti i Republikës, duhet të presë mbylljen e procesit të Vettingut nga Komisioni i Apelimit, ku po jep shpjegime për pasurinë e tij.

Tv Klan