Atilio Ndreca 23 vjeç është shqiptari i cili humbi jetën sot pas plagëve të rënda që kishte pësuar ditë ditë më parë në Itali, ku u dhunua me shkopinj bejsbolli nga disa persona të panjohur.

Kjo është dhe foto e viktimës Atilio Ndreca, e siguruar nga gazetari i Klan News, Maksi Rama. Mësohet se 23-vjeçari ka qenë në gjendje kome dhe mbahej në jetë me aparatura prej dy ditësh. Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën mes së enjtes dhe të premtes në Mantova të Italisë.

23-vjeçari ka qenë së bashku me shokun e tij italian Frencesco Ferrari 35 vjeç kur u dhunuan barbarisht në oborrin e një qendre tregtare.

Të dy kanë qenë së bashku në lokal kur u telefonuan nga dikush i cili u kërkoi t’i takonte. Pasi ecën disa metra, përpara tyre u shfaq një grup personash. Këta të fundit i goditën dy të rinjtë me shkopinj bejsbolli.

Atilio Ndreca qëndronte në spital në gjendje kome, ndërsa sot mjekët italianë vendosën të fiknin aparaturat për shkak se, sikurse raportohej në mediat italiane, 23-vjeçari kishte dëmtime të rënda dhe të parikuperueshme në tru.

Ndërsa shoku i tij 35-vjeçar është i plagosur në gjendje të rëndë.

Mësohet se familja e Atilio Ndreca jeton në Shqipëri. Ata kanë hapur dyert e mortit në Lezhë, aty ku dhe banojnë. Familjarët e mësuan lajmin e hidhur ditën e sotme pasi nuk kanë qenë në dijeni që djali i tyre ishte në koma në spitalin e Italisë.

Ndërkohë, policia italiane po vijon hetimet për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. /tvklan.al