Samantha Shea nuk kishte qenë kurrë jashtë SHBA-së përpara se të fillonte kolegjin në 2014-ën. Pas diplomimit në 2019, ajo vizitoi për herë të parë Indinë dhe Pakistanin. E pas këtij udhëtimi, në vitin 2021 ajo vendosi të zhvendosej në Luginën Hunza të Pakistanit, ku jeton aktualisht.

Samantha tregon se kur u tha familjarëve të saj se vendosi të mos ikte më kurrë nga Pakistani, ata ishin të tronditur pasi e mendonin këtë vend fiks si një shkretëtirë. Por, ajo thotë se u ka dërguar vazhdimisht fotot mahnitëse të vargmalit Karakoram mbuluar me dëborë dhe fshatin piktoresk ku sot ka shtëpinë.

Dikur jetonte në Majemi, e ndërsa sot shijon jetën 8500 metra mbi nivelin e detit në kufi me Kinën Perëndimore.

“Kur erdha për herë të parë në Pakistan në vitin 2019, sapo isha diplomuar në Universitetin e Majamit. Në Hunza, energji elektrike ka vetëm disa orë në ditë, nuk bëhen dërgesa online dhe jo gjithmonë ka ujë të nxehtë. Por pavarësisht këtyre, lugina është shtëpia ime. Rinovimi i fundit i shtëpisë më kushtoi vetëm 3 mijë dollarë”, shprehet Samantha.

SHBA gjithmonë i udhëzon qytetarët e saj që nëse udhëtojnë në Pakistan, duhet të shmangin provincën Balochistan, kufirin e Pakistanit me Indinë pasi ka rrezik për sulme terroriste dhe konflikte të armatosura. Por, sipas Samanthë-s deri më sot nuk është ndjerë e pasigurt.

Dita e diplomimit në Miami
Lugina e Hunzës

Mediat e huaja kanë shkruar me detaje për vendimin ekstrem të kësaj vajze të re për t’u zhvendosur nga SHBA në një vend shumë më të varfër.

“Dashuria ime për udhëtimet filloi në kolegj. E doja plazhin dhe verën e Florida-s, por nga ana tjetër më shqetësonin zhurmat dhe ritmi i shpejtë i këtyre qyteteve. Kam bërë 3 punë teksa isha në universitet, që të kurseja për këto aventura. Pas diplomimit në 2019, u nisa përsëri për në Indi, duke udhëtuar nëpër vend dhe më pas në Pakistanin fqinj. Pavarësisht shqetësimeve nga familja dhe miqtë, nuk u ndjeva aspak nervoze kur kalova kufirin e Indisë. Zbulova se Pakistani nuk ishte i ndotur dhe rrugët ishin në gjendje të mirë. Pas pandemisë, mësova gjuhën kombëtare të Pakistanit. Hapa një blog dhe u angazhova duke shkruar përmbajtje në mediat sociale për udhëtimet.  

Udhëtimi i parë i Samantha në Pakistan (2019)

Në prill të 2021-it, udhëtova vetëm në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad. Nuk kisha një plan të qartë por qëndrova disa netë në një bujtinë. Këtë udhëtim timin në shumë zona, njerëzit që më njihnin e konsideruan çmenduri, por unë isha e vendosur.  Udhëtimi im i vitit 2021 më solli në Luginën e Hunzës, për një arsye. Lugina Hunza është një zonë e largët në veri të Pakistanit. Lumenjtë blu Gatorade dhe malet e mbuluara me borë e bëjnë Hunzën një destinacion popullor turistik. Komuniteti lokal është i njohur për mikpritjen e tij dhe menjëherë u ndjeva si në shtëpinë time – diçka që nuk e kisha ndjerë kurrë në Amerikë”, rrëfen Samantha.

 Hekurudha e Karakoram

Ajo thotë se në këtë zonë ka një kulturë shumë më liberale ndaj grave, duke përmendur se shumë prej tyre zotërojnë restorante, dyqane dhe kanë arsim të lartë. Samantha thekson se asnjëherë s’ka pasur frikë për sigurinë e saj. Madje ajo ndan dhe një episod kur udhëtoi e vetme 5 milje dhe nuk dinte si të kthehej. Një bari shpjegon ajo, i sqaroi rrugën e kthimit dhe i mbajti çantën.

“Mendoj se ndihesha më rehat në Hunza sesa në Miami për disa arsye: kuzhina lokale kishte shumë ngjashmëri me recetat e gjyshes sime polake. Ndihem si në një planet tjetër. Edhe pse nuk ka Wifi tërë kohës, jetesa është e thjeshtë. Energji elektrike ka më së shumti gjatë natës. Një muaj akomodim këtu kushton 150 deri në 250 dollarë. Në fillim kam qëndruar në disa hotele ku paguaja 15 dollarë natën”, shton ajo më tej.

Për Samanthën, kjo eksperiencë i ka shërbyer pozitivisht pasi ajo ka pasur fryte në karrierën e saj si freelance. Ajo publikon historitë në Instagram dhe Youtube, duke frymëzuar shumë njerëz të tjerë për të vizituar luginën.

E në këtë vend, ajo ka njohur dhe dashurinë e jetës, i cili quhet Fareed. Atë e njohi disa muaj pasi u stabilizua në Hunza.

Samantha dhe Fareed

“Familja e tij janë një familje e dytë për mua.Kam filluar të mësoj Burushaski, një nga dy gjuhët kryesore që fliten në luginë. Partneri im flet anglisht shumë mirë, kështu që nuk kemi asnjë pengesë gjuhësore. Energjinë elektrike e paguajmë vetëm 2 dollarë në muaj, ndërsa ujë të ftohtë të pastër kemi vazhdimisht dhe falas. Muaji më i ftohtë është Janari, por prapë dimri ofron një periudhë komode për pushim”, përfundon Samantha.

Samantha me familjen e Fareed

Momentalisht ajo nuk ka asnjë plan që të ikë nga Lugina, madje aty mendon të kalojë gjithë jetën ku pret të ndërtojë një familje të bukur me Fareed./tvklan.al