Për rastin e zonjës Ornela Kolneku në Pogradec që gjykata e nxorri nga shtëpia dhe brenda la ish-bashkëshortin dhunues, emisioni Stop në Tv Klan kërkoi takim me gjyqtaren Emona Muçi, e cila është dhe kryetare e Gjykatës së Pogradecit.

Në fillim na u tha se ajo ishte në një seminar online, por më pas ajo u largua fshehur, për të mos u përballur me gazetaren e Stop.

Gazetarja: Unë jam Domenika Bajraktari nga emisioni “Stop”. Kemi ardhur për rastin e zonjës Ornela. Kemi dëshirë të kemi një komunikim me gjyqtaren, zonjën Emona.

Sekretarja: Eshtë në seminar online. 

Gazetarja: Ku po e zhvillon semiarin?

Sekretarja: Këtu në gjykatë. Tani, unë e vura në dijeni. Jam në seminar,- më tha.

Gazetarja: Ok, do e presim!

Gazetarja: Kryetarja është këtu?

Sekretarja: Jo, ka dalë.

Gazetarja: Doli kryetarja?

Sekretarja: Doli, mbaroi seminarin.

Por më pas u bë përballja me gjyqtaren Emona Muçi përmes kamerës së fshehtë, e cila nuk pranoi të jepte një përgjigje për vendimin absurd që ka dhënë.

Gazetarja: E nderuar, si jeni?

Gjyqtarja Emona Muçi: Më vjen shumë keq për rastin në fjalë! Ju i keni të dyja vendimet. Në rast se nuk i keni, urdhërojmë, që t’i merrni. Dola vetëm për korrektesë, se jam akoma në seminar. Për çfarëdolloj pasak.., paqartësie me vendimin, bëni një kërkesë! Unë do t’ju përgjigjem sipas ligjit. E kam zbatuar ligjin në detaje.

Gazetarja: A mund të më thoni, a është vendimi i parë ky, që merrni, që dhunuesi të qëndrojë në banesë dhe e dhunuara të dalë jashtë?

Gjyqtarja Emona Muçi: Të gjitha me shkrim!

Gazetarja: Jo, sepse ju e dini arsyen, se përse jam unë këtu!

Gjyqtarja Emona Muçi: Ju lutem, ju lutem dalim jashtë!

Gazetarja: E nderuar kam më shumë se 3 orë, që ju pres..

Gjyqtarja Emona Muçi: Isha në seminar.

Gazetarja: Keni cilësuar këtu, që nga pala e paditur, nuk u vlerësua i drejtë ky pretendim dhe mendohet, që t’i jepet 100 mijë lekë. Më 100 mijë lekë të vjetra, çfarë mund të bëjë zonja në qytetin e Pogradecit? Pa banesë, pa asgjë.

Gjyqtarja Emona Muçi: Atëhere dalim përjashta…!

Gazetarja: Përse nuk keni cilësuar, që deri në momentin e përpjesëtimit të pasurisë, zonja të qëndrojë në banesën, ku ka jetuar 20 vite?

Gjyqtarja Emona Muçi: Atëhere të gjitha arsyetimet i kam vendosur në vendim.

Gazetarja: Po pikërisht për këto arsyetime jam këtu zonjë.

Gjyqtarja Emona Muçi: Vendimet e Gjykatave ankimohen, sipas ligjit.

Gazetarja: Me çfarë, me 100 mijë lekë të vjetra, që i është caktuar si pension?

Gjyqtarja Emona Muçi: Ju lutem! 100 mijë lekshin e ka parashikuar ligji, unë e kam dhënë.

Gazetarja: Përse nuk keni nxjerrë dhunuesin jashtë?

Gjyqtarja Emona Muçi: Të lutem! Ky është vendimi im!

Gazetarja: Të lutem mos më kap nga krahu!

Gjyqtarja Emona Muçi: Të lutem! Ky është vendimi im!

Gazetarja: Vendimi nuk është i saktë.

Gjyqtarja Emona Muçi: Atëhere ka institucione të tjera, ka Gjykata më të larta.

Gazetarja: Kështu mbrohet gjinia e dobët? Ju jeni vetë, grua, zonjë, zonjushë! Kështu mbrohet gjinia e dobët?

Gjyqtarja Emona Muçi: Ju lutem tani, se jam në zyrë, jam në seminar!

Sekretarja: Ta mbyll dhe këtë derën, se ka derë tjetër ajo!

Ornelës i është caktuar shuma prej 100 mijë Lekëve të vjetra, por me kaq para nuk mund të sigurosh një banesë në Pogradec. Gazetarja e Stop bisedoi me znj. Ilda Baraj, eksperte e pronave të patundshme, e cila shpjegoi se me këtë shumë, zonja mund të marrë një hyrje në gjendje të mjerueshme. Sipas saj, do të duhen të paktën 1 milionë Lekë të vjetra investim për ta bërë të jetueshme një banesë të tillë.

“Zona e Pogradecit hyn te zonat turistike në Shqipëri. Me informacionin që kam, shumë apartamente janë riinvestuar dhe jepen me “Airbnb”, vlere që fillojnë nga 30-40 Euro nata dhe përfundojnë në 100-120 Euro në varësi të investimit që është bërë. Kështu që me 10 mijë Lekë të reja mund të gjenden apartamente të denigruara ose në gjendje mizerabël të cilat janë lënë në vitet ’90-’92 nga pronarët e apartamenteve dhe jetojnë jashtë. Në qoftë se zonja do marri një apartament të tillë do t’i duhet të paktën 100 mijë Lekë që ta kthejë në një apartament të banueshëm. Kështu që 10 mijë Lekë të reja për të jetuar me dinjitet dhe me kushte bazike janë të pamundura. Sepse apartamenti përveç se qirasë ka shpenzime ujë, drita, ka administrimin”, thotë Ilda Baraj. /tvklan.al