Teknologjia e informacionit po merr një zhvillim të madh ndaj edhe në shkolla po investohet për përmirësimin e infrastrukturës.  Nga gjimnazi “Andon Zako Çajupi”, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se, kabinetet e inteligjencës artificiale do të shtrihen edhe në shkolla të tjera, duke bërë të mundur zgjerimin e njohurive të nxënësve në fushën e teknologjisë.

Në 15 shkolla në fazën e dytë të këtij projekti do të mundet ta shtrijmë kabinetin e inteligjencës artificiale për të rinjtë duke bërë të mundur që deri në fyund të këtij program të mund të angazhohen më shumë se 2000 nxënës dhe gjithashtu të kemi edhe mësues të trajnuar. Inteligjenca artificiale, programet e tjera kërkojnë që të pasurohesh dhe të aftësohesh në vijimësi dhe kështu që edhe program i trajnimit për mësuesit, për një pjesë ka mbaruar, për një pjesë po vazhdon.”

Nxënësit shprehin interes të lartë për ngritjen e këtyre laboratorëve.

“Më ndihmon që të jem më e aftë për të krijuar diçka që do të na nevojitet.”

“Jam bërë pjesë e programit për tu mësuar më mirë mbi programimin.”

“Me të ardhura të mira ne mund të zhvillojmë edhe Shqipërinë tonë.”

“Kurrikula bërthamë nuk na lejon shumë mundësi që të informohemi për inteligjencën artificiale, aq shumë sa do na ndihmojë ky kurs.”

“Unë kam dëshirë të studioj për Arkitekturë, dhe mendoj që ky është një mësim shumë i mirë që unë të aftësohem edhe më shumë.”

Laboratori i Inteligjencës Artificiale në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” sapo ka përfunduar dhe është bërë funksional, falë edhe mbështetjes nga Fondi Amerikano-Shqiptar për Zhvillim. Këta laboratorë janë aktualisht në 9 shkolla, dhe do të shtrihen edhe në 15 shkolla të tjera deri në vitin 2024.

Klan News