Ka shkuar në 10 numri i të arrestuarve, si të përfshirë në kultivimin e drogës në laboratorin e zbuluar në Shkozë të Tiranës, një ditë më parë. Pas arrestimit të 5 personave të premten, mes tyre edhe një punonjës i OSHEE, sot policia e Tiranës ka arrestuar edhe 5 të tjerë.

Ata janë Sh. M., 58 vjeç, I. Q., 63 vjeç, R. L., 58 vjeç, A.K., 58 vjeç, dhe I. S, 46 vjeç. Ky i fundit, punonte si Faturist i Ujësjellës Kanalizimeve. Ndërsa dy prej të arrestuarve të tjerë, punonin si dhe roje private.

Mesditën e së premtes, efektivët e Tiranës zbuluan një laborator të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit në zonën e Shkozës. Ambienti i mbyllur në brendësi të tuneleve në ish – Uzinën e Autotraktorëve, ishte përshtatur për kultivimin e drogës.

Këto ambiente ishin në pronësi të Hazbi Parllaku, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal, e kamuflonte si aktivitetet i prodhimit të plastikës.

Dy faturistët mësohet se kishin bërë të mundur lidhjen e energjisë së tensionit të lartë trefazor, si dhe lidhjen e rrjetit të ujësjellësit në mënyrë të paligjshme dhe matës. Ndërsa punjonjësit e kompanie private të sigurisë fizike kanë pasur detyrë të ruajnë objektet, ku përpunohej kanabisi, por nuk kanë kallëzuar aktivitetin e paligjshëm. Në pranga u vunë më herët edhe pronarët e një servisi, nga ku është kryer lidhja e paligjshme e energjisë dhe e ujit.

Gjatë marrjes në pyetje asnjë prej personave të arrestuar nuk ka pranuar të japë shpjegime, në lidhje me aktivitetin. Ata kanë pretenduar se nuk dinin gjë, apo se do të flisnin për hetimin në një moment të mëvonshëm.

Gjatë operacionit në fjalë janë sekuestruar gjithashtu, 46.45 kilogramë kanabis e paketuar në qese plastike,1375 kubikë kanabis, 205 rrënjë bimë narkotike, 78 llamba fosforeshente, që shërbenin për kultivimin e bimëve, 7 celularë të markave të ndryshme, si dhe pajisje të ndryshme që shërbenin për funksionimin e këtij laboratori (pompë uji, depozitë uji pajisje eletrike, pleh kimik etj)

./tvklan.al