Manastriliu: Brenda Tetorit, vihen në funksion 18 të tillë

Hapet laboratori i ri në maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, investim i kryer në kuadër të modernizimit të rrjetit të laboratorëve publikë.  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar laboratorin në maternitetin e Tiranës, ku deklaroi se deri tani janë vendosur në funksion 10 laboratorë të rinj në spitale.

“Në një kohë të shpejtë jemi shtrirë në 10 laboratorë publikë, ndërkohë që janë 18 në të gjithë spitalet, të cilat përfshihen në këtë projekt të madh dhe që padyshim do të arrijmë, besoj brenda shtator-tetorit, t’i përfundojmë të 18 këto laboratorë publike, në mënyrë që të kenë mundësi që të ofrojnë me standarde dhe cilësi gamën e gjithë analizave laboratorike”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se cilësia e kryerjes së analizave në rrjetin e 18 laboratorëve të rinj do të jetë e njëjtë, çka do të ndihmojë qytetarët për shërbim të shpejtë dhe të standardizuar si edhe mjekët në punën e tyre për diagnostikimin e pacientëve.

“Rrjeti i 18 laboratorëve publikë ka të njëjtin standard në kryerjen e analizave nga pikëpamja e cilësisë edhe sigurisë së tyre. Edhe për mjekët është shumë më e lehtë, pasi, duke patur analiza të certifikuara në të gjithë spitalet publike nuk ka nevojë të përsëriten analizat dhe çdo gjë është e sigurt, nëse kryhen në Fier, Berat apo në Kukës, kanë të njëjtin certifikim dhe të njëjtin standard. Është një shërbim që u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve, por u shërben edhe mjekëve, sepse kanë garancinë 100%, se çfarë del nga laboratori është e standardizuar në të gjitha drejtimet”, theksoi Manastirliu.

Laboratorët e rinj janë të përfshirë në një sistem digjitalizimi, ku ruhen të gjitha analizat e kryera për pacientët dhe mjeku ka informacionin e plotë për pacientët. Shërbimi i ri i laboratorit në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, është pjesë e rrjetit modern të laboratorëve publikë, me Partneritetin Publik-Privat, i cili ka rritur gamën e analizave në 164 lloje. Në 18 spitale publike po investohet për ofrimin e shërbimit cilësor dhe zgjerimit të gamës së analizave, duke rritur mbulimin shëndetësor dhe duke reduktuar pagesat nga xhepi për qytetarët. Përmes këtij partneriteti, parashikohet shtim i volumit të analizave me standard dhe siguri të lartë në rrjetin e ri të laboratorëve publikë në vend./tvklan.al