Nxjerrin nga gara për titull Partizanin, Vllaznia ‘vjedh’ pikë në Kukës
Laçi konfirmohet “mace e zezë” për Partizanin e këtij sezoni. Kurbinasit triumfuan për herë të tretë në këtë edicion të Superligës, duke i ndërprerë hovin të kuqve në garën për titull.
Skuadra e Stavri Nicës arriti që të thyej 3-2 ekipin e teknikut Colella, që nuk mundi të dalë me të paktën një pikë nga kjo transfertë.
Ishin kryeqytetasit që kaluan të parët në avantazh, me anë të Da Silvës. Braziliani bëri gjithçka mirë në minutën e 38-të për të kaluar në epërsi të kuqtë.
Reagimi i Laçit nuk vonoi, pasi Guindo i shpëtoi mbulimit të mbrojtësve dhe në kufinjtë e pozicionit jashtë loje barazoi llogaritë.
Rikthimi në fushë pa skuadrën kurbinase më të uritur dhe Shkurtaj në të 49 përktheu në gol një aksion të bukur të shokëve të skuadrës.
Epërsia krijoi më shumë lirshmëri për ekipin e Stavri Nicës, që gjeti sërish rrjetën, me të zakonshmin Guindo. Afrikani realizoi golin e tretë për Laçin dhe të dytin personal.
Goli i tetë sezonal për sulmuesin që sigloi në këtë formë fitoren e kurbinasve, pasi Partizani shënoi edhe të dytin, por që vlen për statistikë. Një humbje që ndërlikon pozitat e Partizanit në garën për titullin kampion, ndërsa rrit mundësitë e Laçit për të prekur Europën.
Në barazim pa gola u mbyll derbi i Veriut mes Kukësit dhe Vllaznisë. Verilindorët e Hallaçit arritën që të gjenin dy herë rrjetën, por golat u anuluan për pozicion jashtë loje. Një pikë që nuk shërben për asnjërën prej ekipeve, me Kukësin që largohet vetëm nga zona e ftohtë e renditjes, ndërsa shkodranët humbasin kontaktet me zonën europiane dhe dorëzohen në garën për titullin kampion.
Klan News