Studimi japonez: Në ambientet e pa ajrosura ka prani të lartë të virusit

Lagështia e ajrit mund të ndikojë në shtimin e përqëndrimit të grimcave virale të COVID-19 në ambiente të ndryshme. Në këtë përfundim arrin një përllogaritje e kryer nga një grup shkencëtarsh japonezë me ndihmën e superkompjuterit Fugaku.

Përllogaritjet treguan se sa më e ulët të jetë lagështia në ajër, aq më e përqëndruar është sasia e grimcave virale. Kjo shpjegon edhe arsyen pse njerëzit janë më të rrezikuar nga infektimi në ambiente të brendshme sesa në ato të jashtme. Në një lagështi më të ulët se 30%, u konstatua prania e dyfishit të grimcave virale të shpërndara në ajër krahasuar me një nivel lagështie mbi 60%.

Studimi tregon po ashtu se pajisjet që shtojnë lagështinë e ajrit, të përshtatshme për ambientet e brendshme mund të ndikojnë në uljën e pranisë së COVID-19 në ajër.

Gjithashtu mburojat e tejdukshme të fytyrës nuk janë aq efektive sa maskat në parandalimin e përhapjes së spërklave. Një tjetër konkluzion është se njerëzit janë më të rrezikuar nga infektimi gjatë darkave. Këshilla kryesore në këtë rast është ajrosja sa më e shpeshtë e ambienteve të mbyllura.

Tv Klan