Një punonjës ka humbur jetën në mënyrë aksidentale në sheshin e xhirimit të serialit të dytë turk, prodhim i “Netflix”, “Atiye”.

Hasan Karatay, i cili punonte si bojaxhi për lyerjen e dekoreve në sheshin e xhirimeve të serialit “Atije” (Dhurata), humbi jetën në mënyrë aksidentale pasi ra nga një lartësi e madhe.

Pavarësisht ndërhyrjes së kolegëve, Karatay mësohet se pësoi vdekje klinike. Ai u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetojë.

Sindikatat e kineastëve turq pretendon se nuk janë përmbushur të gjitha kushtet e sigurisë në punë. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes që i kushtoi jetën të riut.

“Atiye” (Dhurata), një superproduksion i “Netflix” ka nisur të xhirohet në Gobeklitepe, afër Shanliurfas, në juglindje të Turqisë.

Seriali, i cili përveç Stambollit do zhvendoset në qytete të ndryshme të Anadollit, pritet të vijë para shikuesve brenda këtij viti me aktorët Beren Saat, Mehmet Günsür, Metin Akdülger, Melisa Şenolsun, Başak Köklükaya, Civan Canova dhe Tim Seyfi në rolet kryesore. /tvklan.al