Janë ovocitet që zgjedhin të tërheqin spermatozoidët dhe jo domosdoshmërisht ata të partnerit. Zbulimi është mjaft i rëndësishëm pasi del në pah një fenomen që është problem për shumë çifte në mbarë botën. Një studim i ri ka hedhur dritë mbi mekanizmat e riprodhimit, ku rezulton se janë vezët që zgjedhin të tërheqin nëpërmjet sinjaleve, disa spermatozoidë specifikë, që të ndodhë fekondimi.

Ky ndoshta është çelësi për ato problematika, mbi ato çifte, ku të dy partnerët rezultojnë të jenë pa asnjë problem, por nuk arrijnë të riprodhohen. Pra pavarësisht se humanët shpenzojnë energji për të gjetur parterin, në këtë zgjedhje, kur bëhet fjalë për riprodhimin, që është qëllimi i jetës, ekziston një zgjedhje që është jashtë kontrollit njerëzor dhe që varet vetëm në nivel biologjik nga sistemi riprodhues femëror.

Studimi është kryer nga një grup shkencëtarësh të universitetit të Stokholmit, në bashkëpunim me kërkuesit e Universitetit të Manchester në Britani dhe është publikuar në revistën Proceedings Of the Royal Society B. në eksperimente është vërejtur që ovocitet seleksionojnë me shumë kujdes nëpërmjet sinjaleve kimike ata spermatozoidë, nga të cilët do të fekondohen.

Deri më sot nuk ishte menduar dhe as hipotezuar një gjë e tillë, pasi gjithnjë ka qenë në fuqi teoria tradicionale që sinjalet femërore në ovulim shërbejnë si drejtues të përgjithshëm për drejtimin e spermatozoidëve në rrugën e tyre drejt fekondimit.

Rezultati mund të ndikojë thellësisht në përmirësimin e trajtimeve për fekondimin artificial dhe mund të shpjegojë shkaqet e infertilitetit në shumë çifte që deri më sot ishin mister.

Klan Plus