Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 14 Maj 2025 #TvKlan #klanlajme
Spiker: Reis Çiço
Headline – 15 maj 2025
Costa: Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE para vitit 2030. Rama: Negociatat, brenda vitit 2027
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi nga Tirana se Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian përpara vitit 2030, nëse përmbush reformat e kërkuara. Kryeministri Edi Rama theksoi se synimi është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027.
Vizita e parë zyrtare e Starmer në Shqipëri. “Kapitull i ri mes dy vendeve” – Rama: Nuk ka marrëveshje për kampe emigrantësh
Kryeministri britanik Keir Starmer zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri – njëherazi edhe vizita e parë e një kryeministri britanik në vendin tonë. Pas takimit me Ramën, ai e quajti këtë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Rama deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje për ngritjen e kampeve për emigrantët.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. 52 liderë evropianë diskutojnë për Ukrainën, emigracionin dhe ekonominë
Tirana do të jetë sot dhe nesër në qendër të vëmendjes evropiane, teksa mirëpret Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Në kryeqytet kanë mbërritur 52 liderë të vendeve të ndryshme evropiane. Temat kryesore të diskutimit përfshijnë situatën në Ukrainë, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjen e emigracionit.
Berisha nga Brukseli: Partitë e IDU mbështesin përpjekjet për rikthimin e votës së lirë
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, mori pjesë në Forumin Botëror të IDU-së të mbajtur në Bruksel. Ai deklaroi se ka marrë mbështetje nga partitë anëtare për përpjekjet e opozitës shqiptare në drejtim të rikthimit të votës së lirë dhe proceseve demokratike në vend.
“Plumbi i artë 2”: SPAK çon në gjyq Suel Çelën dhe 10 të tjerë
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 11 persona, përfshirë emra të njohur të botës së krimit. Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, të zbuluara nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Kriza politike në Kosovë thellohet. Dështon takimi i Osmanit me partitë politike
Takimi i thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike për të zgjidhur ngërçin në Kuvend, përfundoi pa rezultat. Osmani paralajmëroi se, nëse situata vijon të zvarritet, ajo mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Shqipëri–Serbi: nis aplikimi online për biletat Interes i madh nga tifozët, faqja doli jashtë funksionit
Ka nisur aplikimi online për biletat e ndeshjes Shqipëri–Serbi, e cila do të zhvillohet më 7 qershor. Interesimi i madh nga tifozët shkaktoi ndërprerje të faqes zyrtare për shkak të mbingarkesës.
/tvklan.al