Lajme, #edicioniinformativ ora 23:45, 19 Maj 2025 #TvKlan #klanlajme

Spiker: Reis Çiço

Headline 19 maj 2025

Trump, telefonatë 2-orëshe me Putin për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Tramp zhvillon një bisedë 2-orëshe në telefon me homologun rus Vladimir Putin. Me pas kreu i Shtëpisë se Bardhë do të flasë edhe me Volodimir Zelenskin. Në fokus është vendosja e një armëpushimi 30-ditor në Ukrainë.

Olta Xhaçka fiton mandatin e deputetes. 15 kandidatë kërkojnë pamjet e numërimit

Përfundon në 8 qarqe numërimi i votave për kandidatët. Olta Xhaçka mori mandatin e deputetes në Tiranë me rreth 100 vota më shumë se Blerina Gjylameti. 15 kandidatë të PS dhe PD kërkojnë nga KQZ pamjet filmike të numërimit.

Berisha: Vota e diasporës u manipulua, Dumani, mbrojtës i krimit elektoral

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se diaspora votoi masivisht për opozitën, por vota e saj u manipulua. Ai akuzon kreun e SPAK, Altin Dumani se po kryen krim antikushtetues duke mbrojtur masakrën elektorale.

Dosja ‘’Partizani’’, GJKKO kalon për gjykim çështjen ndaj Berishës

Gjykata e Posaçme pranon kërkesën e SPAK dhe kalon për gjykim dosjen “Partizani”. Nën akuzë për privatizimin e ish-kompleksit sportiv janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë.

Lirohet nga burgu për arsye shëndetësore Safet Gjici. Do vuajë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi

Gjykata e Apelit ka liruar nga burgu për arsye shëndetësore Safet Gjicin të dënuar për korrupsion pas përfshirjes në një skandal seksual në zyrën e tij. Ish-kryebashkiaku i Kukësit do e vuajë në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit prej 8 muajsh.

1 milionë automjete në rrugët e Shqipërisë. 1 në 2 banorë në Tiranë ka një makinë në përdorim

Në Shqipëri qarkullojnë afro 1 milionë automjete, teksa në vetëm 3 muajt e parë të këtij viti numri i tyre u rrit me 10%. Gati një e treta e tyre janë në Tiranë ose thënë ndryshe thuajse në çdo dy banorë, njëri ka makinë në përdorim.

Kosova në udhëkryq. Kurti nuk tërhiqet, dështon edhe seanca e 18-të e konstituimit të Kuvendit

Tre muaj pas zgjedhjeve të shkurtit, Kosova vijon të jetë pa Kuvend. Këtë të hënë dështoi seanca e 18-të për konstituimin e tij, pasi “Vetëvendosje” e Albin Kurtit nuk tërhiqet nga kandidatura e Albulena Haxhiut. Pritet vendimi i Kushtetueses.

/tvklan.al