lajme, #edicioniinformativ ora 23:30 data 22 Shkurt 2024 #TvKlan #KlanLajme

Spiker: Redi Prifti

Headlines 22 Shkurt 2024

Miratohet marrëveshja për emigrantët me Italinë, Rama: Vepruam si vend anëtar i BE.

Parlamenti miraton me 77 vota marrëveshjen për emigrantët me Italinë, duke i hapur rrugë ndërtimit të kampit të pritjes në Gjadër të Lezhës. Kryeministri Rama reagoi pas votimit duke thënë se Shqipëria veproi si vend anëtar i Bashkimit Europian.

PS tërheq amnistinë nga votimi. Opozita: U dështoi pazari. Mazhoranca: Ruajmë traditën për konsensus.

Mazhoranca tërhoqi nga parlamenti Amnistinë Penale, pasi opozita u shpreh kundër. Demokratët thonë se socialistët kërkuan pazar, por ministri i Drejtësisë sqaroi se tërheqja lidhej me nevojën për të ruajtur traditën e konsensusit për një ligj të tillë.

Grabit exchange me pistoletë lodër, policia jep 5 mijë euro për indetifikimin.

Një pikë e këmbimit valutor grabitet nga një person me pistoletë lodër në zonën e Kombinatit në Tiranë. Policia ka vënë 5 mijë euro në dispozicion kush jep informacione që do të çonin në identifikimin e autorit.

Bujar Osmani, kandidat i BDI për president në RMV. Ahmeti: Presidenti i ardhshëm të zgjidhet nga parlamenti.

Bujar Osmani do të jetë kandidati i BDI-së në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoninë Veriut. Me sloganin “Jo Rusisë, po Evropës”, kreu i kësaj partie Ali Ahmeti ftoi qytetarët që të përkrahin kandidaturën e Osmanit.

BE nis hetim ndaj TikTok. Dyshime se ka shkelur detyrimet për mbrojtjen e të miturve.

Bashkimi Europian nis hetimet ndaj rrjetit social TikTok pasi dyshohet se ka shkelur detyrimet për mbrojtjen e të miturve. Vendimi erdhi pas analizimit të videove të shkurtra të cilat sipas ekspertëve kishin efektin e “gropës thithëse”.

Kombëtarja, miqësore me Liechtenstein pak para Europianit. Luhet me 3 Qershor në Austri.

Kombëtarja shqiptare e Futbollit do të luajë një miqësore me Lihtenshtejnin pak para Europianit. Ndeshja do të zhvillohet më 3 qershor në Austri. Në mars kuqezinjtë do ndeshen me Kilin dhe Suedinë, sfida që do transmetohen në Tv Klan.  

/tvklan.al